
Kandidati i PS në Tiranë Fatmir Xhafaj, theksoi se, megjithë përpjekjet për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Shqipëria është ende larg standardeve më të mira. Ai theksoi se gjithçka fillon nga qytetarët, të cilët duhet të kuptojnë rëndësinë e votës për të ardhmen e tyre.
Xhafaj vuri theksin te roli i qytetarëve, partive politike dhe institucioneve përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve. Ai shtoi se marrëveshja mes SPAK dhe KQZ është një garanci shtesë për një proces zgjedhor të sigurt dhe të ndershëm.
Në intervistën e tij në emisionin “Kjo Javë” në News24, zoti Xhafaj theksoi se një rol për garantimin e zgjedhjeve të lira janë partitë politike, kandidatët si dhe institucionet përgjegjëse të administrimit të zgjedhjeve.
“Nëse flasim për zgjedhje të lira e të ndershme, cështja fillon që nga qytetarët. Ata duhet të ndërgjegjësohen për votën e tyre, sepse në finale cështja përfundon te votuesi.
Nëse nuk e kupton peshën e votës, padyshim pasojat e tjera që vijnë do të jenë shumë më të rënda. Gjithçka fillon nga pesha që ka vetë votuesi, nga qasja që kanë zgjedhësit në raport me rëndësinë që ka vota e tij me të ardhmen e tij. Poseduesi i të drejtës kushtetuese për të votuar është qytetari”, tha Xhafaj.
I pyetur për rolin e Prokurisë së Posaçme në këto zgjedhje, Xhafaj tha se marrëveshja e SPAK me KQZ është një garanci më shumë për sigurimin e standardeve të procesit zgjedhor.
“Mënyra se si e kanë parë këto institucione së bashku me KQZ, mënyra se si e kanë organizuar, marrëveshja me to në funksion të këtij procesi është një garanci më shumë, ndërgjegjësim më shumë, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kjo duhet të jetë qëllimi kryesor i shoqërisë si ti parandalojmë këto fenomene”, u shpreh kandidati i PS në Tiranë Fatmir Xhafaj.
Në lidhje me përfshirjen e elementëve kriminalë në zgjedhjet e 11 majit, Xhafaj, ka theksuar se deri tani nuk ka asnjë problem të tillë. Ai shprehu kënaqësinë se në territorin e tij nuk është e nevojshme të ketë prezencë të SPAK-ut, megjithatë, pranoi se mund të ketë zona të caktuara dhe kandidatë ku elementë kriminalë mund të jenë të pranishëm.
Sipas Xhafajt, është e rëndësishme të theksohet që nuk është e domosdoshme që të ketë kallëzime për SPAK-un, por përpjekjet e institucioneve dhe marrëveshjet me KQZ-në janë një garanci e mëtejshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme
“Unë nuk shoh në territorin tim, nuk e shoh këtë nevojë për të pasur prezencën e SPAK, por mund të ketë zona të caktuara, kandidatë të caktuar ku këto elementë janë të pranishëm. Është shumë e rëndësishme cfarë është themelore në këtë gjë.
Jo domosdoshmërisht duhet të jenë kallëzime për tu adresuar nga SPAK.
Por gjithsesi besoj që mënyra se si e kanë parë këto institucione së bashku me KQZ, mënyra se si e kanë organizuar, marrëveshja me to në funksion të këtij procesi është një garanci më shumë, ndërgjegjësim më shumë, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kjo duhet të jetë qëllimi kryesor i shoqërisë si ti parandalojmë këto fenomene. Kryesorja është ta parandalojmë që këto zgjedhje të jenë të lira e të ndershme”, tha ndër të tjera zoti Xhafaj.