
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje të rinjve që të protestojnë sot kundër mbylljes së platformës TikTok, duke e cilësuar këtë vendim si një akt censurimi. Ai u kërkoi të rinjve të lënë çdo angazhim dhe të dalin në protestë në orën 19:00, në mbrojtje të lirisë së shprehjes.
“Edi Rama po censuron TikTok-un, platformën më moderne të komunikimit, bazuar në intolerancën ndaj tij. Të gjithë nxënësit, gjimnazistët dhe të rinjtë e Shqipërisë do ta kenë sërish TikTok-un në telefonat e tyre më 12 maj. Ky vendim është një akt i rëndë dhe duhet ndëshkuar me protestë masive. Të gjithë në sheshin ‘Skënderbej’ nesër në orën 19:00!”, u shpreh Berisha.
Vendimi i qeverisë për ndalimin e TikTok është kritikuar ashpër nga opozita, e cila e konsideron atë një përpjekje për të kufizuar lirinë e fjalës përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Berisha e ka krahasuar këtë vendim me veprimet e regjimeve autoritare, duke akuzuar kryeministrin për frikë nga mendimi i lirë.
Masa të rrepta sigurie për protestën
Policia është vënë në gatishmëri për protestën e sotme, e cila do të zhvillohet nga ora 19:00 deri në orën 21:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para kryeministrisë. Rreth 1 200 efektivë do të jenë të pranishëm në terren, ndërsa forcat speciale RENEA janë në gatishmëri për çdo eventualitet.
Për të garantuar sigurinë, Policia Rrugore do të bllokojë rrugët që lidhen me bulevardin, duke devijuar qarkullimin. Po ashtu, do të vendosen kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar çdo veprim të dhunshëm. Garda e Republikës do të marrë në mbrojtje institucionet shtetërore, ndërsa efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz.
Policia ka urdhëruar forcat e saj të shmangin provokimet dhe të mbajnë në vëzhgim individët që në protestat e kaluara kanë shfaqur sjellje të dhunshme.