Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Buxheti më i madh vjen nga varfërimi i qytetarëve, barra po bie mbi pensionistët e shtresën e mesme


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një video të publikuar në rrjetet e saj sociale, ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si qeveria socialiste ka grumbulluar më shumë të ardhura në buxhet.

Ajo ka theksuar se buxheti i cilësuar nga qeveria si “më i madhi në histori”, në fakt po rëndon drejtpërdrejt mbi xhepat e qytetarëve shqiptarëë.

Tabaku shpjegon se rritja e të ardhurave nga taksat është rezultat i rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës, duke përmendur rritjen prej 30% në të ardhurat nga TVSH-ja, e cila është një taksë mbi konsumin. Sipas saj, kjo rritje ka ardhur plotësisht nga qytetarët më të varfër, pensionistët dhe shtresa e mesme, duke bërë që barra e krizës ekonomike të rëndojë mbi ta.

Në vijim, Tabaku argumenton se edhe rritja e të ardhurave nga sigurimet shoqërore nuk ka ardhur si rezultat i formalizimit të tregut të punës, por thjesht nga rritja e pagave në administratën publike, të cilat janë reflektuar në taksa më të larta për qytetarët.

Deputetja e PD-së e cilëson këtë situatë si një manifestim të “mentalitetit socialist”, ku 95% e qytetarëve mbajnë peshën e rëndë të taksave, ndërsa përfitimet shkojnë vetëm tek 5% e qytetarëve. Ajo thekson nevojën për ndryshim të këtij sistemi dhe premtimin se Partia Demokratike ka një plan për ta kthyer sistemin në shërbim të shumicës së shqiptarëve.

Tabaku bën thirrje që “kjo piramidë duhet përmbysur”, duke kërkuar që qytetarët të marrin shërbime të duhura dhe të paguajnë taksa të drejta sipas punës dhe kontributit të tyre.