Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrim, Tabaku: Jemi pro integrimit, por s’ka transparencë. Spiropali: S’ka plan B


Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian, Çështjet Evropiane e shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore, mbajti sot sesionin në Pallatin e Kongreseve, ku tematika kryesore kanë qenë reformat për integrimin e vendeve të rajonit në BE, reformat dhe zgjerimi europian.

Ky takim është moderuar nga Kryetarja e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Jorida Tabaku, ku pjesëmarrës ishin kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Europian.

Kryetarja e komisionit, njëkohësisht deputetja e PD, bëri thirrje për transparencë, teksa shprehu dakordësinë e opozitës për ta çuar vendin drejt BE-së.

 “Shqipëria nuk ka asnjë dyshim që të ardhmen e ka në BE, është qëllim i përbashkët jo vetëm i qeverisë, por i të gjitha forcave politike. Shpreh gatishmërinë opozitës që ky proces, megjithëse në mungesë të rezultateve konkrete, të vazhdojë duke qenë se është sinjal i qartë për sfidat politike. Pas agresionit rus në Ukraine dhe pas angazhimit që rajoni ka marrë për zgjerimin, parlamentet tona janë duke luajtur një rol të rëndësishëm”, tha Tabaku.

Ajo dha dakordësi për bashkëpunim me qëllim anëtarësimin e vendit në BE, por kërkoi më shumë transparencë nga mazhoranca.

“Komisioni i Çështjeve Europiane ka qenë pararojë e shumë ndryshimeve për të rritur rolin e kuvendit, shpresoj të mos mbeten në letër, e nevojshme transparenca mbi politikat e qeverisë sa i përket pozicioneve negociuese. Opozita, PD beson se kjo është e ardhmja e Shqipërisë, por situata është e tillë që në pjesën më të madhe të diskutimeve nuk po ofrohet transparencë dhe gjithë përfshirje”, tha kryetarja e komisionit.

Ndërkohë kryeparlamentarja Elisa Spiropali në fjalën e saj theksoi se qëllimi dhe plani i vetëm i Shqipërisë është anëtarësimi në BE.

Sipas saj, vendi nuk ka plan tjetër B, por vetëm atë A.

Spiropali theksoi se pavarësisht se palët politike kanë mosmarrëveshje dhe debate duke mos u dakordësuar për kalendarët dhe rendet e ditës në Kuvend, ato janë të bashkuara në qëllimin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Integrimi europian nuk është vetëm një projekt më vete, por edhe rajonal, i përbashkët, ndërkombëtar. Por ka marrë konotacion politik, ky nuk është vetëm zgjerim, por dhe përfshirja e familjeve në Europë, do ndodhë proces i natyrshëm kulturor, gjeografik, ekonomik e kështu me radhë. Jemi vende me rrënjë, kulturë dhe integritet. Për shqiptarët dielli lind nga perëndon. Shqipëria nuk ka asnjë plan B, por vetëm një plan A, anëtarësimin në Europë. Ndaj palët politike edhe pse nuk bien dakord për kalendarin e punimeve, janë në një mendje për integrimin e Shqipërisë. Shqipëria ka shpallur anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Përfundojmë procesin e negociatave brenda vitit 2027, është qëllim i arritshëm, është prioriteti numër një për vendin”, u shpreh kryeparlamentarja.

Më tej ajo theksoi se tashmë Shqipëria ka marrë ftesën për dy grupkapituj dhe pret atë të radhës, të katërtin. Synim është mbyllja e negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimi në BE më 2030.

“Sapo kemi marrë ftesën nga presidenca polake për grupin e dytë dhe të tretë të kapitujve dhe presim atë të katërt. Shqipëria do eci drejtë rrugës Europiane, unë shpresoj dhe besoj se Shqipëria do jetë pjesë e BE-së në të ardhmen. Kemi ngritur edhe struktura të reja në Kuvend për këtë qëllim, që lehtëson detyrat gjatë procesit të negociatave, përballuar me sukses sfidat dhe çuar vendin drejt rrugës së BE. Të gjitha këto për përmbushjen e kritereve për hapjen dhe mbylljen e grupkapitujve. Kemi marrë masa për të lehtësuar kriteret e mirëkuptimit për të miratuar ligjet për integrimin. Po nxisim reformat për planin e rritjes në Ballkanin perëndimor, sepse paraqet zhvillim dhe mundësi të mirë. Realitetet në rajon dhe Ballkanin Perëndimor kanë ndryshuar dhe për fat kanë ndryshuar për mirë”, tha ajo ndër të tjera.