Vendosni fjalën kyçe....

Rama, Meta e Basha dënojnë dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës, bëjnë thirrje për dialog


Ish-kreu i PD-së Basha ka dënuar dhunën ndaj trupave të KFOR-it në veri të Kosovës.

Ai shkruan se është e qartë se kush është i interesuar për dhunë e destabilizim ndërsa u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të tregojnë mature e të veprojnënë bashkërebndim me SHBA-në, BE-në e NATO-n.

“Thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Dënoj me forcë dhunën e paprovokuar ndaj trupave të KFOR, Policisë së Kosovës dhe mediave. Për këdo është e qartë se kush është i interesuar për dhunë dhe destabilizim. Autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë maturi në këtë situatë të tensionuar dhe të veprojnë në koordinim të pandarë me aleatët tanë, SHBA, BE dhe NATO. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA me rezultat  njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rruga për paqe dhe stabilitet dhe për një jetë më të mirë për shqiptarët dhe serbët në Kosovë”, tha Basha.

Për gjendjen e tensionuar në Kosovë ka reaguar edhe kreu i PL-së, Meta. Teksa dënon dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it, institucioneve e gazetarëve, ai i bën thirrje presidentit serb Vuçiç që të largojë ushtrinë nga kufiri i Kosovës.

Meta thekson se tensionet në Kosovë duket të jenë të nxitura nga palët e treta, duke nënkuptuar këtu Rusinë.

“Po ndjek prej ditësh, me një vëmendje të shtuar, zhvillimet tepër shqetësuese në veri të Kosovës si dhe reagimet e palëve për to. Dënojmë me forcë sulmet e paprovokuara dhe tërësisht të pajustifikuara ndaj forcave të KFOR-it, ndaj gazetarëve dhe institucioneve. As KFOR dhe as Policia e Kosovës nuk kanë sulmuar asnjë qytetar të asnjë etnie. Në interesin më të mirë të qytetarëve, palët duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, që do të ç’tensiononte situatën e konfliktit, e cila, më së shumti duket të jetë e nxitur nga synimet e aktorëve të tretë, që duan të ketë jo paqe të qëndrueshme, por konflikt të vazhdueshëm dhe destabilitet. Vuçiçi duhet ta largojë ushtrinë nga kufiri i Kosovës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të mos cënohet në suksesin e tij. Shqipëria do të jetë gjithmonë dhe pa kushte në krahun e Kosovës dhe në krahun e NATO-s për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon.” – shkruan Meta.

Më herët dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it e dënoi edhe kryeministri Rama. Kreu i qeverisë tha se fuqia e ushtrisë serbe në kufi me Kosovës është zero dhe se Kosova nuk duhet të ngurrojë për të finalizuar dialogun.

Gjithashtu Rama shkruan se sa më shumë të zgjatet konflikti i rrezikshëm e i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova.

“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare. Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm! Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova”, shkruan Rama.