Vendosni fjalën kyçe....

Vrasjet me dashje dhe krimet në fushën e drogës arrijnë në nivelin më të lartë nga viti 2017


Kriminaliteti rezulton se është rritur ndjeshëm në Shqipëri vitin e fundit. Të dhënat e INSTAT referuan se të paktën dy krime kanë shënuar rritje të ndjeshme, ai i vrasjeve me dashje dhe krimeve në fushën e drogës.

Në vitin 2021 u regjistruan 61 vrasje me dashje, që është niveli më i lartë që nga viti 2017, kur ishin 71 të tilla. Në raport me vitin e mëparshëm, kur vendi për gati gjysmën e vitit ishte në karantinë, vrasjet me dashje u rritën me 17.3%, ndërsa edhe në raport me 2019-n, rritja është me 6%.

Në të njëjtën linjë, krimet në fushën e drogës arritën në mbi 3 mijë, sërish niveli më i lartë që nga viti 2017. Në krahasim si me 2019-n, ashtu dhe me 2020-n, rritja është mbi 50%.

Grafiku nga viti 2015 tregon se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes rritjes së krimeve në fushën e drogës dhe vrasjeve. Në vitin 2017, pas fillimit të kultivimit masiv të kanabisit në vend u shënua si rritje e ndjeshme e krimeve në fushën e drogës ashtu dhe të vrasjeve. (shiko grafikun: Vrasjet dhe krimet në fushën e drogës). E njëjta tendencë po konstatohet dhe në vitin 2021.

Veprat penale

Sipas INSTAT, Në vitin 2021, janë evidentuar gjithsej 35.175 vepra penale, 7,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Në raport me popullsinë në vitin 2021, janë evidentuar 125,1 vepra penale për 10 mijë banorë, nga 115,4 që ishin në vitin 2020.

Veprat penale Dhunë në familje, Krime në fushën e drogës, Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, Vrasje me dashje, Mashtrime dhe Vjedhje duke shpërdoruar detyrën janë rritur, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pjesa tjetër e veprave penale ka pësuar rënie.

Autorë të veprave penale

Në vitin 2021, janë regjistruar 39.328 autorë për vepër penale, 4,0 % më pak, krahasuar me vitin 2020. Numri i autorëve sipas veprave penale përfshin numrin e personave të dyshuar të cilët mund të jenë të pranishëm në më shumë se një vepër penale dhe autori numërohet në të gjitha veprat ku është i dyshuar.

Ndërkohë, numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale, në vitin 2021 është 35.745 autorë, 1,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.

Në vitin 2021, 33,8 % e autorëve janë të grup-moshës 30-44 vjeç, 28,1 % të grup-moshës 18-29 vjeç dhe 22,1 % i përkasin grup-moshës 45-59 vjeç. Edhe në raport me popullsinë, renditja e autorëve sipas grup- moshave është e njëjtë.

Të dëmtuar

Në vitin 2021, janë regjistruar 16.910 persona të dëmtuar, 5,2 % më pak, krahasuar me vitin 2020. Personat e dëmtuar për krime kundër personit përbëjnë 37,9 % të totalit të personave të dëmtuar.

Në vitin 2021, në totalin e personave të dëmtuar për krime kundër personit, femrat përbëjnë 27,8 % të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit dhe dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes.

Procedime penale

Në vitin 2021, numri i procedimeve penale të regjistruara është 28.349 procedime, 1,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Nga 25.688 procedime penale të përfunduara, 23,3 % e tyre janë pushuar, 34,7 % janë pezulluar dhe 42 % janë dërguar për gjykim në gjykatë.

Të pandehur

Në vitin 2021, janë regjistruar 16.196 persona të pandehur, 20,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Meshkujt përbëjnë 94,9 % në totalin e personave të pandehur.

Të burgosur

Në vitin 2021, numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale është 4.956, 7,4 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Në raport me popullsinë, në 2021 janë 18 të burgosur për 10 mijë banorë, nga 16 të burgosur që ishin një vit më parë. Meshkujt përbëjnë 98,7 % të totalit të të burgosurve.

Grup-mosha 21-29 vjeç ka normën më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë. Personat mbi 60 vjeç dhe nën 20 vjeç kanë normën më të ulët të të burgosurve.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor