Vendosni fjalën kyçe....

Apeli pranoi ankimimin e Alibeajt, Gazment Bardhi: Kërcënimi i gjyqtarëve i përket mentalitetit të vjetër


Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Tiranës për pranuar ankimimin e Enkelejd Alibeajt.

Në një postim në “Twitter”, Bardhi shprehet se kërcënimet ndaj gjyqtarëve dhe blerja apo shitja e vendimeve gjyqësore, i përkasin drejtësisë së korruptuar dhe një metaliteti të vjetër politik.

Ai e ka konsideruar të paligjshëm vendimin e gjyqtarit Agron Zhukrit, të ankimuar nga Alibeaj që njeh si drejtues të PD-së Komisionin e Rithemelimit.

“Siç ka thënë edhe Sali Berisha më 25 Mars: Vendimet e gjykatave zbatohen, nuk mund te komentohen, nuk mund te sulmohen. Nuk mund të kesh dy standarte, kur na pëlqen vendimi e zbatojmë, kur nuk na pëlqen e sulmojmë.

Vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri ishte dhe është tërësisht i paligjshëm. Qetësisht institucionet legjitime të partisë kanë ndjekur dhe po ndjekin rrugën ligjore për zhbërjen e atij vendimi të paligjshëm. Askush nuk duhet të shqetësohet nga zbatimi i ligjit dhe duhet të ruaj qetësinë derisa drejtësia ti shkojë deri në fund kësaj çështje.

Kërcënimet ndaj gjyqtarëve, dërgimi i mercenarëve të rikthyer sëfundmi brenda gjyqësorit për të joshur gjyqtarët, blerja apo shitja e vendimeve gjyqësore, kthimi i selive të partive në salla gjyqi të humbur, i përkasin drejtësisë së korruptuar alla Zhukri dhe një metaliteti të vjetër politik që ka mbajtur peng të ardhmen e Shqipërisë.

Për qartësi të opinionit publik, dua të sqaroj se palë në një proces ku shqyrtohet kërkesa për regjistrim të një statuti të një partie politike, është vetëm PARTIA POLITIKE, ndërkohë se kush e ka të drejtën e përfaqësimit e cakton gjykata në çështje themeli.”- shkruan Bardhi.

Ky reagim vjen pasi Gjykata e Tiranës vendosi sot të njohë Enkelejd Alibeajn si palë ankimuese në çështjen për njohjen e Statutit të Kuvendit të 11 Dhjetorit të PD-së. Sipas Gjykatës, ankimi i paraqitur ka bazë të mjaftueshme për pranim dhe nuk është abuziv apo i paligjshëm dhe çështja do të merret në shqyrtim.

Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha e akuzoi më herët ambasadoren amerikane Yuri Kim se po ndërhyn në çështjen për PD-në pranë Gjykatës së Apelit.