Detaje të reja mësohen lidhur me arrestimin nga SPAK, të ish-ministrit të mjedisit, Lefter Koka. Sipas “Report TV”, Koka u vu në pranga sot rreth orës 11:30 në banesën e tij në Durrës.
Ndërkohë sipas “News 24”, Koka pritet të sillet në Tiranë, ku prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do t’i ofrojnë të drejtën që ai të japë shpjegimet e tij.
Bashkë me të janë arrestuar edhe 2 persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet ende.
Arrestimi i tij ka të bëjë me çështjen e incineratorëve, por në fakt nuk dihet se për cilin incenerator bëhet fjalë konkretisht, teksa detaje të reja priten të mësohen në vijim nga operacioni i SPAK.
Urdhri për arrestimin e Kokës është firmosur nga prokurori Klodian Braho e është firmosur nga gjykatësi Erion Bani.
Ish-ministri akuzohet për “shpërdorim detyre, pastrim parash e korrupsion”.
Kujtojmë se Koka është kallëzuar penalisht në SPAK për inceneratorin e Fierit nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pak muaj para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Në kallëzimin e LSI-së thuhet se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi kanë kryer dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.
Kujtojmë se ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit pas djegies në bllok të mandateve.
Koka u zgjodh deputet në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e fundit si pjesë e listës së PS-së, por hoqi dorë nga mandati.
Ai ka qenë ish-ministër Mjedisi në vitet 2013-2017 e më pas deputet i PS-së në vitet 2017-2021. Po kështu Koka ka drejtuar Bashkinë e Durrësit në vitet 2003-2007.