Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa në Komisionin e Edukimit: Një minutë heshtje për viktimat e tragjedisë në Bullgari


Mbledhja e sotme në Komisionin e Edukimit ka nisur me një minutë heshtje për tragjedinë e ndodhur në Bullgari, një gjest i kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.

Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa u shpreh ngushëllimet familjarëve, ndërsa u ndal edhe tek një tjetër ngjarje e rëndë e ndodhur në vend, vrasja e fëmijës në Fier.

Ajo kërkoi që të thirrej sa më shpejt në Komision, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

“Në komisionin e edukimit dhe medias mbajtëm 1 minutë heshtje për shqiptarët që humbën jetën në tragjedinë e Bullgarisë. E kërkova ta bëjmë këtë xhest për të treguar solidaritetin e ligjvënësve shqiptar në një ditë kaq të dhimbshme për bashkëkombasit tanë.

Ngushëllime të sinqerta familjarëve, të afërmve të viktimave. Lutje për shpirtrat e tyre!

Gjithashtu duke qenë seancë e miratimit të kalendarit të punës së komisionit kërkova nisur edhe nga ngjarjet e fundit me fëmijet në Shqipëri, të thirret për dëgjesë sa më shpejt në komision ministria e shtetit për rininë dhe fëmijët, Bora Muzhaqi.

Ajo duhet ‘të gjejë kohën’ për të ardhur për të sqaruar punën e saj, masat që ka ndërmend të marrë, kompetencat, politikat etj. Këto ngjarjet kanë nevojë për trajtimin edhe institucional dhe kërkimin e ndërmarrjes së politikave apo nismave ligjore që mund të parandalojnë apo frenojnë sa më shumë këto fenomeve të abuzimit me fëmijët, të dhunimit apo deri te vrasjet e tyre si rasti me ekstrem dhe makabër.”- shkruan deputetja Ina Zhupa.