Vendosni fjalën kyçe....

Helmimi në Krujë, 130 qytetarë të tjerë iu drejtuan mbrëmë spitalit, dezinfektohet depozita kryesore e ujit


Kur kanë kaluar 5 ditë që nga shfaqja e rasteve të para të pacientëve të helmuar nga uji, viijon situata e rënduar nga helmimi nga uji i pijshëm në Krujë.  

Sipas “Balkanweb”, që nga mesdita e djeshme deri sot në mëngjes kanë qenë rreth 130 persona, që i janë drejtuar spitalit për ndihmë, ku fluksi më i madh ka qenë gjatë darkës.

Aktualisht në spital nuk ka njeri që po merr ndihmë mjekësore.

Ndërkohë mësohet se depozita kryesore është dezinfektuar, është mbushur e derdhur dy herë dhe pritet leja nga ISHP për të nisur furnizimin me ujë të qytetit, pasi duhet të dalin analizat, të cilat me shumë gjasa dalin nesër.

Kujtojmë se uji i pijshëm në Krujë, rezultoi me ngarkesë bakteriale të esheria koli dhe streptokokut fekal, sipas rezultatit të analizave mikrobiologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, ku bëhet me dije se uji është ndotur në depon e qytetit të Krujës dhe më pas i është shpërndarë qytetarëve nëpër çezma.

Ndërkohë që ende nuk ka përgjegjës për këtë situatë, disa firma të prodhimit e paketimit të ujit, por edhe biznese lokale, u sensibilizuan ditën e djeshme dhe kanë dërguar në Krujë rreth 100 tonë ujë të paketuar.

Bizneset lokale e kanë shpërndarë nëpër kopshtet e çerdhet e qytetit, ndërsa firmat e kanë dorëzuar sasinë e ujit në bashki, e cila mbrëmjen e kaluar ka filluar shpërndarjen e tij te familjet në nevojë, si ato me ndihmë ekonomike, pensioniste, invalidë, etj.

Dy autobotë kanë shpërndarë ujë për nevoja personale mbrëmë në disa pika të qytetit.