Një 19-vjeçar është arrestuar në Fier, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike.
Sipas policisë, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën të riut iu gjend një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike (2.1 kilogramë kanabis), dhe për këtë arsye u vu në pranga.
I riu me inicialet A.C, tashmë do të duhet të japë llogari për vepra penale që lidhen me trafik droge.
NJOFTIMI I POLICISË
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, në pranga poseduesi i saj.
Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. C., 19 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.