Vendosni fjalën kyçe....

Meta letër Ruçit e Celibashit: Rama e Veliaj po cenojnë fushatën e opozitës, fryma parazgjedhore është dëmtuar


Presidenti Meta u është drejtuar me një letër zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e Kuvendit.

Kreu i shtetit denoncon në letër kryeministrin Rama e kryebashkiakun Veliaj se po cenojnë fushatën elektorale të opozitës.

Meta thekson se situata parazgjedhore në vend është dëmtuar duke përmendur përplasjen e para pak ditëve në selinë e Frymës së Re Demokratike.

“Siç dhe jeni njohur me zhvillimet e fundit, përmes medias së shkruar, elektronike dhe vizive, situata politike parazgjedhore dhe klima e besimit ndërmjet forcave politike garuese në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, është cenuar rëndë. Përpos faktit të pasqyrimit në media të zhvillimeve të fundit në Tiranë dhe Elbasan, si President i Republikës, më duhet t`ju bëj dije mbi një situatë tërësisht të paligjshme, që ndodhi në selinë e Frymës së Re Demokratike, forcë politike kjo e cila u sulmua dhunshëm nga strukturat dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë.” – shkruan Meta në letrën dërguar Celibashit e Ruçit, citon BW burime anonime të pakonfirmuara.

Më tej, presidenti shton se sulmi ndaj FRD-së nga ana e bashkisë së Tiranës erdhi një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes kësaj force politike e PD-së për të hyrë së bashku në zgjedhjet e 25 prillit.

Meta thekson se sulmi është tregues i sjelljes së papërgjegjshme të shumicës për të dëmtuar veprimtatinë kushtetuese të forcës politike në fjalë për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Ky sulm, që u organizua dhe ekzekutua vetëm pak ditë më parë, në datën 12 mars 2021, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të FRD-së me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj për zgjedhjet e 25 prillit 2021, bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës, bashkëjetesës që do të duhet të shoqërojë situatën, para, gjatë, dhe pas zgjedhore. Ky sulm është një tjetër tregues i sjelljes tërësisht të papërgjegjshme dhe provokuese të mazhorancës, me qëllim dëmtimin e aktivitetit kushtetues dhe ligjor të kësaj force politike pjesëmarrëse në zgjedhje, por njëkohësisht edhe një dëshmi e përpjekjeve të saj sistematike për të minuar pluralizmin politik në vend.” – thuhet më tej në letrën e Metës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *