Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi pas vizitës së Ramës në Elbasan: “Do të shohësh si është gjendja? Futu në çdo lagje e në çdo fshat”


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Elbasan, duke thënë se ai vërtitet në “sferën e tij imagjinare të sukseseve dhe mrekullive”.

Bardhi i bën thirrje Ramës që nëse do vërtet të shohë si është gjendja në këtë qark, të futet në çdo lagje apo fshat dhe të shohë se si qytetarët mezi po përballojnë energjinë elektrike.

 “Edhe pse viziton Elbasanin, Edi Rama sërish refuzon të prekë realitetin e vërtitet me orë të tëra në sferën e tij imagjinare të sukseseve e mrekullive që i prek vetëm ai dhe miqtë që e shoqërojnë.

Pas 8 viteve të rilindjes, Elbasani është qarku më i varfër në vend, dhe 75 mijë qytetarë janë larguar për shkak të papunësisë, mungesës së shanseve, dhe braktisjes që i ka bërë qeveria qytetarëve. Asnjë investim dhe asnjë mbështetje për qarkun Elbasan në 8 vite.

Nëse do të shohësh si është gjendja, futu në çdo lagje të qytetit, apo në çdo fshat të kësaj zone. Pamundësi, skamje dhe të moshuar që luten mos të kenë halle me shëndetin se nuk përballojnë dritat, jo më spitalet.

Ato biznese që mbijetojnë, ja dalin falë punës së tyre, me administratën nëpër këmbë që u vë gjoba e u merr frymën. Të vetmet që po lulëzojnë, janë kurset private të gjuhëve të huaja, sepse rinia kërkon të largohet. Dhe sot që ti qëndron me atë mikrofon në dorë pa ndalim, qindra të diplomuar po hyjnë e po dalin nga orët e gjermanishtes.”– thotë Bardhi.

Më tej ai shton se Rama nuk mund t’i zëvendësojë premtimet e 2013-ës për 300 mijë vende pune, apo “mashtrimet” siç i quan ai, me premtime të tjera.

“Mashtrimin elektoral të 300 mijë vendeve të punës dhe shëndetësisë falas, të uljes së çmimit të dritave dhe ushqimeve, nuk mund ta zevendësosh me të tjera premtime dhe gënjeshtra të reja.

Banorët e Elbasanit duan ndryshim, Shqipëria do ndryshim, dhe kjo do të ndodhë me 25 prill. Eshtë e pandalshme e pashmangshme. Ne kemi një plan, një vizion, dhe angazhimin për të kthyer shpresën dhe besimin e njerëzve tek politika dhe qeverisja e mirë.”– shkruan Bardhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *