Vendosni fjalën kyçe....

Rama premton: Fundi i mandatit të tretë na gjen me 4 aeroporte


Në pjesën e tretë të fjalës së tij në Asamblenë e PS-së, kryeministri Rama renditi arritjet e qeverisjes së PS-së në dy mandatet e deritanishme.

Ai tha se PS-ja nuk ka rivalë për sa i përket asaj që ka bërë dhe që do të bëjë për vendin.

Rama përmendi veçanërisht projektet e aeroporteve e porteve të reja duke premtuar se fundi i mandatit të tretë do e gjejë vendin me katër aeroporte e disa porte të reja.

“Me përmendin aeroportin e Kukësit. Unë o do i marr 120 demokratë nga Londra që të votojnë PD-në në Kukës o s’ka. Nga ata që më shajnë rregullisht. Vitin e ardhshëm do nisim ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Pas kësaj do shpallet gara për aeroportin e Sarandës. Mandati i tretë do mbyllet me tre aeroporte, plus këtij që kemi bëhen katër aeroporte. Porti i qytetit në Vlorë do bëhet port turistik dhe do bëjmë portin tjetër për mallrat e peshkatarët.

Në Durrës porti i ri i mallrave do bëhet në Porto Romano kurse ai në qytet do bëhet port turistik. Do kemi portin e ri turistik në Sarandë dhe do bisedojmë me qeverinë e Kosovës për portin e Shëngjinit. Brenda pak ditësh nis rruga Milot-Fier. Paralelisht do shpallim Milot-Murriqanin, pjesë e korridorit blu. Nga Murriqani në Vlorë do shkohet pa u penguar askund. Do kemi edhe rrugën Milot-Rrëshen. Për të gjitha këto na duhet një betejë shumë e madhe komunikimi me njerëzit. Të gjitha që duam të bëjmë kërkojnë kohën e tyre.” – tha Rama.

Ai foli edhe për projektet europiane në rajon duke e vlerësuar si tejet të rëndësishëm investimet prej 9 miliardë eurosh e 20 miliardë eurosh grante në rajon duke teksuar se qeveria do punojë për të bërë projektet e duhura për të thithur investimet.

Po kështu kryeministri vlerësoi edhe dixhitalizimin e vendit duke thënë se jemi vendi i parënë Ballkan dhe se brenda mandatit të tretë shumica e shërbimeve do bëhet online.

“Ata na dalin nga mbrapa se ne përpara kemi vetëm të ardhmen. Ata kërcënojnë, shantazhojnë, bëjnë rrëmujë sepse nuk e kanë shpejtësinë tonë. Ka edhe ndërkombëtarë që janë miqtë e Ilirit e Lulit që mendojnë si ata, është demokratike. Por ne kemi bërë gjënë e duhur për procesin zgjedhor për të pasur nesër një parlament më përfaqësues, më të përgjegjshëm dhe akoma më të aftë se çdo parlament më parë. Si do e bëjmë nesër Shqipërinë të vrapojë në mandatin e tretë.

E tha komisioneri para dy ditësh. Plani prej 9 miliardë euros grante për vendet e rajonit ishte gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur për rajonin që prej viteve ’90. Na takon ne të bëjmë projekte t’i kthejmë këto para në investime. Jemi vendi i parë për shërbime dixhitale për shqiptarët. S’do ketë më nevojë për të paguar ryshfete, brenda pak vitesh s’do ketë më zyra pritje për qytetarët, çdo shërbim do merret online.” – shtoi Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *