Vendosni fjalën kyçe....

Britania në krizë politike, kërkon ndihmën e BE-së për shtyrjen e Brexit


Zëdhënësi i qeverisë britanike ka thënë se kryeministrja May beson që Britania e Madhe ka hyrë në krizë politike, duke konfirmuar se ajo do të kërkojë nga liderët e BE-së që të shtyhet data e largimit të këtij shteti nga Bashkimi Evropian.

Plani i kryeministres për ta hedhur sërish në votim marrëveshjen në kuvend u kundërshtua nga kryetari i Dhomës së Ulët, John Bercoë, i cili ka thënë se votimi i marrëveshjes së njëjtë në mënyrë të përsëritur është i papranueshëm.

“Kryeministra do t’ia dërgojë një letër presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, në lidhje me shtyrjen e afatit për shkëputje nga Bashkimi Evropian”, tha zëdhënësi i qeverisë.

Ai refuzoi të tregonte se sa kohë do të kërkojë kryeministrja dhe për çfarë arsye do të kërkohet kjo kohë, duke thënë se gazetarët duhet të presin për të kuptuar se çfarë përmban letra pasi ajo do të publikohet më vonë.

Zëdhënësi njoftoi se ministrat e kabinetit qeveritar kanë diskutuar për Brexitin rreth 90 minuta në mbledhjen e së martës. Ai nuk tregoi nëse është arritur marrëveshje për të kërkuar shtyrje të afatit apo nëse ka ndonjë dokument të nënshkruar për këtë çështje.

Disa ministra të qeverisë, përfshirë ministrin për Brexitin, Steve Barclay, dhe Andrea Leadsomin votuan kundër mocionit qeveritar që bënte thirrje për shtyrje të këtij procesi.

“Do të ketë kërkesë për ta ndryshuar datën e tërheqjes dhe duhet të ekzistojë një instrument ligjor që duhet të miratohet në dy Dhomat e Kuvendit”, tha zëdhënësi qeveritar.

Shtyrja e gjatë e procesit të tërheqjes nga BE-ja do t’i kushtonte 100 milionë funte Britanisë së Madhe për shkak të financimit të detyrueshëm të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, shkruan “The Guardian”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *