Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet për vrasjen e shokut dhe babait të tij, ekstradohet nga Italia Etien Çani


Nezir dhe Gentian Beqiri

Ekstradohet nga Italia 28-vjeçari Etien Çani, i cili akuzohet për vrasjen e dy personave në Elbasan në vitin 2012, përkatësisht Nezir dhe Gentian Beqiri, të cilët ishin babë e bir.

40-vjeçari Gentjan Beqiri u ekzekutua në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër” të Elbasanit. Babai i tij, Nezir Beqiri ndërroi jetë pak minuta pas të birit..

“Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar E. C. 28 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shtetasi E. C. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.”, thuhet në njoftimin e poliisë.

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet Çani ka ndodhur në 15 gusht të vitit 2012. 40-vjeçari Gentjan Beqiri u ekzekutua me tre plumba teksa ishte duke fjetur në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër” të Elbasanit. Dëshmitar i ngjarjes së rëndë ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit.

Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas ngjarjes, por ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen.

Çani dhe Beqiri kanë qenë miq mes tyre, dhe dyshohet se kjo ka qenë arsyeja pse ai ka hyrë me lehtësi në banesën e 40-vjeçarit për ta ekzekutuar atë, pa u pikasur as nga efektivët e policisë që e ruanin Beqirin, pasi ishte në masën e arrestit të shtëpisë.

Përveç Çanit për vrasjen e dy personave dyshohet dhe shtetasi Ervis Bardhi, 38 vjeç, nga Kavaja e banues në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit.

Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n Gentjan Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *