Vendosni fjalën kyçe....

Investitorët italianë: Të shqetësuar për klimën e biznesit, administrata ka tendencën të na shmangë


Biznesi italian është shprehur së fundmi se klima e biznesit në Shqipëri është vështirësuar dhe se nëpunësit publikë i shmangen vendimeve duke bërë zhvillimin e aktivitetit problem më vete.

Në një deklaratë për shtyp Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri (CCIA) dhe Confindustria Albania (Shoqata e Industrialistëve Italian në Shqipëri) nënvizuan se kanë ndjekur me shqetësim shifrat e publikuara së fundmi nga INSTAT lidhur me rritjen e PBB për tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas tyre ecuria ekonomike përpos faktorëve të jashtëm që u lakuan si mungesa e reshjeve dhe situata e përgjithshme energjetike po kufizohet edhe nga klima e përgjithshme e biznesit e krijuar në vend.

“Megjithëse nuk mund të mohohet se përkeqësimi i të dhënave të rritjes ekonomike në tremujorët e fundit varet pjesërisht nga faktorë të jashtëm e të paparashikueshëm, si reshjet e pakta të shiut në këta muajt e fundit, gjithsesi do të ishte kufizuese nëse analiza e këtyre indikatorëve negativë do t’i atribuohej thjesht prodhimit më të ulët të energjisë elektrike në vend.

E vërteta shqetësuese është se shifrat në fjalë varen edhe nga një përkeqësim progresiv i klimës së biznesit që është rënduar edhe më shumë këtë vitin e fundit.

Shumica e bizneseve italiane dhe ato të huaja në përgjithësi, ashtu si dhe firmat shqiptare, japin sinjalin se shumë gjëra nuk po funksionojnë ashtu siç është premtuar, duke e vështirësuar krijimin apo zhvillimin e veprimtarive ekonomike – burimi i vërtetë i të ardhurave dhe punësimit.

Funksionimi i administratës publike gjithashtu ka krijuar shqetësim ndër investitorët, të cilët janë tashmë të lodhur nga nëpunësit publikë që kanë tendencën t’u shmangen vendimeve për të cilat ata do të duhej të ishin kompetentë, si dhe çdo lloj forme dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me bizneset; biznesi has vështirësi të dukshme në gjetjen e bashkëbiseduesve kompetentë dhe vetëm rrallë herë merr përgjigjet e duhura” thuhet në deklaratë.

Në të njëjtën theksohet se këto pengesa jo vetëm shtojnë mosbesimin e bizneseve që operojnë në Shqipëri me pasoja negative në synimet e tyre për investime, por kontribuojnë edhe në përkeqësimin e perceptimit të riskut të vendit dhe për tërheqjen e cilitdo investitorët mundshëm.

“Pavarësisht këtyre, vëmendja e institucioneve duket se përqendrohet vetëm në debatet politike, pa u thelluar në analizën e shkaqeve të vërteta të ngadalësimit ekonomik dhe të klimës në rritje të humbjes së besimit që duket ka përfshirë të gjithë sipërmarrësit, duke preferuar, në vend të kësaj, të gjendet faji tek ndikimi i faktorëve të jashtëm. Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri dhe Confindustria Albania, kërkojnë angazhimin e menjëhershëm të Qeverisë, të nëpunësve të saj dhe të të gjitha institucioneve, përfshirë dhe shoqatat e biznesit, për t’u përqendruar në efikasitetin e reformave dhe që të vihen në zbatim të gjitha veprimet e nevojshme për t’i dhënë qartësi, siguri dhe parashikueshmëri, mjedisit të biznesit në respekt të rregullave të drejta, të përbashkëta dhe transparente. Sa u tha më sipër është themelore për një rritje të qëndrueshme, që të mund të përmirësojë kushtet e jetesës së popullit shqiptar e të përafrojë Shqipërinë me Bashkimin Europian, me shpresën për të ndalur largimin shqetësues të brezave të reja nga vendi” mbyllet deklarata.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *