Studentë dhe pedagogë të Universitetit të Durrësit pritet t’i bashkohen protestës së ditës së nesërme të studentëve të Tiranës.
Ata do mblidhen në kampusin e Universitetit Aleksandër Moisiu dhe më pas do nisen drejt kryeqytetit. Në mesazhin e tyre ata thontë se nuk janë ngelësa, por studentë të rinj që përpiqen me të gjitha mundësitë për t’u shkolluar.
Ndërkohë po nga universiteti i Durrësit, një studente me iniciale I.A., denoncon përpjekjen e dekanatit të UAMD-së, që po formon një grup studentësh për ta dërguar te kryeministri Rama për dialog.
Studentët thonë se nëse kjo do ndodhë, ata studentë nuk përfaqësojnë qëndrimin e masës së studentëve të cilët ashtu si moshatarët e tyre në Tiranë kanë deklaruar se nuk ka asnjë dialog me qeverinë për sa kohë ajo nuk ka plotësuar 8 kërkesat e bëra prej tyre.
Studentët e Tiranës kanë deklaruar ditën e sotme, pas ftesës së kryeministrit në komunikimin e tyre online, se nesër do dalin sërish në protestë dhe se nuk kanë ndërmend që të bisedojne me kreun e qeverisë.