Një delegacion i lartë i Departamentit të Shtetit udhëtoi drejt Kubës javën e kaluar me një avion qeveritar amerikan, duke shënuar një hapje diplomatike në kohën kur ishulli po përballet me presionin intensiv të administratës Trump.
Ky është rasti i parë që një avion i qeverisë së SHBA-së ulet në Kubë që nga vizita e ish-presidentit Barack Obama në vitin 2016.
Gjatë vizitës, një diplomat amerikan u takua me Raúl Guillermo Rodríguez Castro, nipin e ish-presidentit Raúl Castro, i cili konsiderohet si një qendër kyçe e pushtetit.
Delegacioni diskutoi për kërkesat e administratës Trump për reforma politike dhe ekonomike, si dhe lirimin e të burgosurve politikë, sipas CBS.
Si pjesë e bisedimeve, pala amerikane hodhi idenë e ofrimit të aksesit në Starlink, shërbimin e internetit satelitor të Elon Musk.
“Delegacioni përsëriti se ekonomia kubane është në rënie të lirë dhe se elitat qeverisëse të ishullit kanë një dritare të vogël për të bërë reformat kryesore të mbështetura nga SHBA para se rrethanat të përkeqësohen në mënyrë të pakthyeshme”, deklaroi zyrtari i Departamentit të Shtetit.
Kuba po kalon një krizë të rëndë energjetike pasi Trump kërcënoi me tarifa të larta çdo vend që eksporton naftë në ishull. Presidenti amerikan e ka cilësuar Kubën si një “vend dështues” dhe ka sugjeruar se ai mund të jetë i radhës pas rrëzimit të Nicolas Maduro në Venezuelë dhe luftës me Iranin.
Të premten, ai deklaroi se po kërkon të sjellë “një agim të ri për Kubën”, duke iu referuar periudhës para revolucionit komunist.
Nga ana tjetër, Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel iu përgjigj retorikës së Trump gjatë një tubimi, duke u zotuar se vendi do të jetë gati për një ofensivë të mundshme ushtarake.
“Ne nuk e duam atë, por është detyra jonë të përgatitemi për ta shmangur dhe, nëse bëhet e pashmangshme, për ta mposhtur”, tha Díaz-Canel.
