Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon për zgjedhjet në Hungari: I uroj mikut tim Viktor gjithë të mirat, fitorja e Magyar vërtet mbresëlënëse


Kryeministri Edi Rama ka reaguar zyrtarisht pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Hungari, të cilat sollën rrotacionin historik të pushtetit dhe largimin e Viktor Orban pas 16 vitesh në krye të qeverisë.

Përmes një mesazhi në platformën “X”, Rama ka mbajtur një qëndrim ekuilibrues, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me Orban, por edhe duke përshëndetur me superlativa fituesin e garës, Peter Magyar.

Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi si kënaqësi punën e bërë me Orbanin për afrimin e dy vendeve, ndërsa i uroi atij fat në jetën jashtë zyrës kryeministrore.

“I uroj mikut tim të mirë Viktor gjithë të mirat në këtë kapitull të ri të jetës së tij. Në të njëjtën kohë, e përgëzoj ngrohtësisht Peter Magyar për fitoren e tij vërtet mbresëlënëse,” u shpreh Rama në reagimin e tij.

Pavarësisht miqësisë së njohur me Orbanin, Rama u tregua i hapur dhe entuziast për të nisur punën me kryeministrin e sapozgjedhur hungarez. Ai nënvizoi se fitorja e Magyar hap një epokë të re jo vetëm për Hungarinë, por edhe për raportet dypalëshe mes Tiranës dhe Budapestit.

“I uroj Kryeministrit të sapozgjedhur të Hungarisë gjithë suksesin në përpjekjen e tij të madhe për të hapur një kapitull të ri për vendin e tij dhe pres me padurim të punojmë së bashku për t’i afruar edhe më shumë dy vendet tona,” përfundoi kryeministri Rama.