Papa Leo XIV mbërriti këtë të hënë në Algjeri, duke nisur një tur 11-ditor në katër vende të Afrikës, që përfshin gjithashtu Kamerunin, Angolën dhe Guinean Ekuatoriale, sipas DW.
Kjo vizitë konsiderohet historike, pasi është hera e parë që një papë viziton Algjerinë, një vend me shumicë myslimane. Sipas Arqipeshkvit të Algjerit, Jean-Paul Vesco, qëllimi është “ndërtimi i urave mes botës së krishterë dhe asaj myslimane”.
Gjatë turit, Papa pritet të fokusohet në çështje si paqja, migracioni, mjedisi, të rinjtë dhe familja. Vizita në Algjeri ka edhe rëndësi personale për të, pasi lidhet me figurën e Shën Augustinit, teolog i shekullit IV, i lindur në zonën që sot është Annaba.
Papa do të zhvillojë gjithashtu homazhe në memorialin e dëshmorëve për viktimat e Luftës së Pavarësisë së Algjerisë kundër Francës.
Sipas Vatikanit, gjatë këtij turi Papa do të trajtojë edhe tema të ndjeshme si korrupsioni, qeverisja autoritare dhe përgjegjësia e liderëve politikë, në një kontinent që përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe sociale.
Afrika mbetet një nga rajonet me rritjen më të shpejtë të besimtarëve katolikë, me mbi 288 milionë katolikë të regjistruar në vitin 2024, duke e bërë kontinentin një fokus të rëndësishëm për Kishën Katolike.
