Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk mund të krahasohen”, Rama sqaron dallimin e taksimit të naftës mes jahteve dhe makinave


Kryeministri Edi Rama ka vijuar takimin me operatorët turistikë në Vlorë, duke u ndalur te rëndësia e investimeve në infrastrukturën detare dhe politikat lehtësuese për turizmin e lartë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë sqaroi arsyet se pse jahtet përfitojnë naftë pa taksa, duke bërë një krahasim me mjetet e transportit rrugor.

Sipas Ramës, ky dallim vjen si pasojë e impaktit të drejtpërdrejtë që mjetet lundruese kanë në rritjen e të ardhurave për ekonominë kombëtare, ndërkohë që makinat shihen më shumë si faktorë ndotës.

“Çfarë d.m.th. që nafta për jahtet është pa taksë, nafta për makinat është me taksë? Pa diskutim fare. Sepse nga ato jahtet ekonomia jonë fiton, ndërsa nga ato makinat, mjedisi ynë ndotet dhe patjetër që janë dy gjëra që nuk mund të vihen në krahasim,” u shpreh Rama, duke nënvizuar nevojën për më shumë marina në vend.

Kryeministri shprehu bindjen se me investimet e duhura, Vlora mund të arrijë standardet e qyteteve bregdetare në Portugali, Spanjë apo Turqi, duke u kthyer në një destinacion ku të huajt zgjedhin jo vetëm të pushojnë, por edhe të jetojnë. Ai theksoi se Marina e Vlorës po zhvillohet si një pikë kyçe e këtij transformimi.

“Duhet strategji që t’i garantoni jetëgjatësi këtyre investimeve që po bëni. Ne po mbështesim sa mundemi. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj pastrimit, është në interesin tuaj,” porosity Rama operatorët, duke kërkuar angazhim maksimal për mjedisin.

Një tjetër pikë ku kryeministri u ndal ishte menaxhim i hapësirës urbane. Ai kërkoi një ndryshim të mentalitetit të ndërtimit, duke vënë theksin te nevoja urgjente për hapësira parkimi në të gjithë Shqipërinë, si një element jetik për turizmin.

“Na duhen më shumë parkingje në gjithë Shqipërinë. Mos hapni sytë vetëm për hapësira për pallat, por për parking,” tha Rama, duke bërë thirrje që zhvillimi i pronës të jetë në funksion të lehtësimit të lëvizjes dhe rritjes së cilësisë së jetës në zonat turistike.