Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur këtë të hënë Kolegjin e Kryetarëve, ku ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me mbrojtjen që, sipas tij, po i bëhet ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Berisha deklaroi se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq gjithnjë e më të rrezikshëm për shkak të asaj që ai e quajti “kalbëzim të qeverisjes aktuale”.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës u kërkoi strukturave të partisë që të jenë në gatishmëri të plotë, duke përdorur një metaforë për të ilustruar rëndësinë e aksionit opozitar në këtë periudhë.
“Një fjalë thotë ‘uji flen, hasmi nuk flen’. Ne duhet të themi ‘uji flen, opozita nuk flen’. Po fjeti, e merr lumi,” u shpreh Berisha, duke nënvizuar se mbledhja ishte thirrur për të diskutuar çështje jetike që lidhen me situatën politike në vend.
Pika më e nxehtë e fjalimit të tij ishte ajo që Berisha e cilësoi si ndërhyrje direkte të kryeministrit për të bllokuar drejtësinë. Sipas kreut të PD-së, Edi Rama ka refuzuar kërkesën për arrestimin e Belinda Ballukut, pasi implikimi i tij në aferat korruptive është i lidhur ngushtë me punën e saj.
“Rama hodhi në kosh kërkesën për arrestimin e Lubi Ballukut. Në 60% të dosjes Balluku është dosja Rama,” deklaroi Berisha, duke shtuar se hetimet e mirëfillta ndaj ish-ministres do të çonin pashmangshmërisht drejt zyrës së kryeministrit.
Lideri i opozitës paralajmëroi se kjo “mbrojtje politike” e zyrtarëve të lartë po thellon krizën e shtetit ligjor në Shqipëri.
Ai bëri thirrje që opozita të mos rreshtë së denoncuari këto lidhje, duke e cilësuar mbrojtjen e Ballukut si një përpjekje të dëshpëruar të Ramës për të fshehur gjurmët e dokumentuara të korrupsionit qeveritar.
