Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Begaj uron besimtarët ortodoksë nga Korça: Qoftë Pashkë e bekuar për të gjithë shqiptarët


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i uroi Pashkën besimtarëve ortodoksë nga Korça, ku mori pjesë në kremtimin e ditës më të rëndësishme për ta. 

Kreu i Shtetit zhvilloi vizita në kishat e vjetra të Voskopojës, i shoqëruar nga prifti At Thoma Samara, i cili shërben në kishën e Shën Kollit.

Më pas, Begaj u prit në qytetin e Korçës në katedralen “Ngjallja e Krishtit” nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Anastasi, nga ku përcolli urimin për Pashkët.

Jam sot shumë i gëzuar që gjendem në Korçë për të uruar nga Mitropolia e Korçës të gjithë besimtarët ortodoksë: gëzuar Pashkët! Qoftë një Pashkë e bekuar për të gjithë besimtarët, por edhe për të gjithë shqiptarët”.

Bashkë me urimin, Presidenti i Republikës përcolli mesazhin për solidaritet, mbarësi e besim tek e mira pë të gjithë shoqërinë.

“Uroj që drita e qiriut, e marrë mbrëmë në kishë, të ndriçojë zemrat e çdo individi, çdo besimtari dhe të gjithë shoqërisë sonë, dhe të bëhemi më të mirë me njëri-tjetrin, më solidarë me njëri-tjetrin dhe më të mbarë për njëri-tjetrin”.

Presidenti i Republikës i uroi Hirësisë së Tij Anastas shërbesë të mbarë, për të cilin kjo ishte e para Pashkë që kremtonte si Mitropolit i Korçës.

Gjatë kësaj vizite Kreu i Shtetit u takua me klerikë ortodoksë, besimtarë dhe personalitete të Korçës.