Ministria e Brendshme e Kuvajtit njoftoi ndalimin e 24 personave, të cilët akuzohen për financim të grupeve terroriste dhe kërcënim të sigurisë kombëtare.
Aksioni, i cili u shoqërua me publikimin e pamjeve të provave materiale, zbuloi lidhje të dyshuara me udhëheqjen e Iranit dhe të Hezbollahut, përfshirë fotografi të figurave të larta të vrarë nga këto organizata.
Sipas burimeve të sigurisë, mes të arrestuarve figurojnë edhe pesë ish-ligjvënës kuvajtianë, gjë që i jep ngjarjes një peshë të madhe politike në vend.
Hetimet sugjerojnë se një pjesë e të ndaluarve grumbullonin shuma të mëdha parash nën pretekste fetare, me qëllimin final dërgimin e tyre te entitetet terroriste jashtë vendit.
Ky operacion vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, pasi regjimi iranian ka nisur sulmet ndaj vendeve të Gjirit.
Kuvajti ka intensifikuar përpjekjet për çmontimin e qelizave të Hezbollahut, duke njoftuar në mars edhe ngritjen e akuzave ndaj gjashtë anëtarëve të kësaj organizate, të cilët dyshoheshin se po planifikonin atentate në të gjithë Gjirin.
“Akuzat e mëparshme përfshinin planifikimin e vrasjeve, ndërsa grupi i mbështetur nga Irani ka mohuar vazhdimisht praninë në Kuvajt, duke i cilësuar pretendimet si të pabaza,” raporton Agence France-Presse.
Situata mbetet e ndezur, veçanërisht pas sulmit me dron në aeroportin ndërkombëtar të Kuvajtit më 1 prill.
Ky akt ka përshpejtuar reagimin e forcave të sigurisë për të mbyllur çdo kanal financimi apo logjistike që mund të përdoret nga grupet pro-iraniane në territorin e tyre.
Arrestimet e fundit shihen si një mesazh i qartë i Kuvajtit se nuk do të lejojë përdorimin e resurseve të tij brendshme për të destabilizuar rajonin në favor të interesave të Teheranit.
