Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali uron besimtarët për Pashkët: Uroj sa më pak mllef, mosmarrëveshje dhe sa më shumë mirëkuptim


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka uruar besimtarët me rastin e festës së Pashkëve përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

Në urimin e saj, Spiropali thekson simbolikën e kësaj feste si triumf i shpresës mbi vuajtjen dhe i dritës mbi errësirën, duke vënë në dukje se besimi sjell ngushëllim dhe forcë për të përballuar sfidat.

Reagimi i plotë:

Krishti u ngjall!

 

 

Nga e premtja e zezë e sakrificës, në të dielën e madhe të Pashkës, me ngjalljen e Tij, zgjohet shpresa e të vuajturve, të shtypurve, të vetmuarve, të sëmurëve, të izoluarve, ngushëllimi i të gjithëve që vjen nga besimi se s’ka natë që s’ka të gdhirë, sado qoftë e gjatë.

Për çdo vuajtje ka një lehtësim, për çdo padrejtësi ka një shpërblim, për çdo ego të sëmurë ka një çmim.

Në këtë Vigjilje të Pashkës Ortodokse, për njerëzit e vendit tonë të jashtëzakonshëm, uroj sa më pak mllef, mosmarrëveshje, hidhërim, makutëri, urrejtje, dhe sa më shumë mirëkuptim, liri, mbrothësi, punë dhe begati.

Ta duam më shumë njëri-tjetrin dhe ta trajtojmë me më shumë përkujdesje tokën tonë të përbashkët.

Gëzuar, Pashkë të bekuara!