Vendosni fjalën kyçe....

Çmimi i naftës, Shoqata e Transportit kërkon ndërhyrje të menjëhershme: Nga java tjetër rrezikohet shërbimi publik për qytetarët


Shoqata Kombëtare e Transportit ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme me një paketë mbështetëse për të vijuar me aktivitetin.

Në një kërkesë të drejtuar ministrave Delina Ibrahimaj e Enea Karakaçi, si dhe kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit, ata bëjnë me dije se nuk është zhvilluar takimi i datës 7 dhe as kanë marrë informacione për kërkesat e tyre.

Shoqata thotë se pa ndërhyrjen e qeverisë, prej javës së ardhshme mund të rrezikohet vijimësia e shërbimit të transportit publik.

Në mungesë të një ndërhyrjeje të shpejtë dhe konkrete nga ana e institucioneve përgjegjëse, operatorët nuk do të kenë mundësi financiare për të përballuar vazhdimin normal të aktivitetit nga java e ardhme. Për rrjedhojë nëse institucionet nuk reagojnë, siç e theksuam edhe me lart, nga java e ardhshme  do të vihet seriozisht në rrezik vijimësia e shërbimit publik për qytetarët”, thotë shkresa.

Në kërkesë nënvizohet se kjo masë “është thelbësore për të shmangur reduktimin e flotës, uljen e frekuencës së shërbimit dhe përkeqësimin e mëtejshëm të funksionimit të transportit publik.”

Shoqata kërkon sa më shpejt informacion lidhur me kërkesat dhe “afatet konkrete brenda të cilave pritet të ketë një vendimmarrje.”

“Zvarritja e kësaj çështjeje për një kohë të pacaktuar e bën situatën të papërballueshme dhe e çon sektorin drejt pamundësisë reale për të garantuar shërbimin”, thekson kërkesa.

Si problematikë kryesore, ata rendisin rritjen e çmimit të naftës, kostove të mirëmbajtjes e pjesëve të këmbimit.

Gjithashtu, shprehin rëndësinë e subvencionimit dhe trajtimin e akcizës, taksës së qarkullimit dhe TVSH-së, por prioritet mbetet ndërhyrja.