
Astronautët në misionin Artemis II kanë hyrë në histori, pasi arritën distancën më të madhe nga Toka të regjistruar ndonjëherë nga njerëzit, duke tejkaluar rekordin e vendosur nga Apollo 13 në vitin 1970, sipas DW.
Anija kozmike arriti një distancë prej rreth 406,764 kilometrash nga Toka, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 248,655 miljesh. Sipas NASA, kapsula Orion hyri gjithashtu në zonën ku graviteti i Hënës bëhet dominues ndaj atij të Tokës.
Gjatë fluturimit, anija iu afrua Hënës në një distancë prej rreth 7,500 kilometrash përtej anës së saj të largët, ndërsa trajektorja e misionit përshkruhet si një figurë “tetë” rreth Tokës dhe Hënës.
Ky është fluturimi i parë me ekuipazh drejt Hënës pas më shumë se 50 vitesh. Ekuipazhi përbëhet nga astronautët amerikanë Victor Glover, Christina Koch dhe Reid Wiseman, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen. Glover u bë personi i parë me ngjyrë që fluturon rreth Hënës, ndërsa Koch gruaja e parë që realizon këtë arritje.
Gjatë kalimit pranë Hënës, astronautët arritën të shohin njëkohësisht Tokën dhe Hënën, si dhe një eklips diellor nga perspektiva e kapsulës. Ata kanë dokumentuar gjithashtu detaje të sipërfaqes hënore që nuk janë parë më parë me sy të lirë nga njeriu, përfshirë pellgun Orientale.
Misioni Artemis II konsiderohet një hap i madh drejt rikthimit të njeriut në Hënë dhe përgatitjes për misionet e ardhshme drejt Marsit.