
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka shprehur keqardhje ndaj Phenianit pas një incidenti me dron që hyri në territorin e Koresë së Veriut në fillim të këtij viti, duke e cilësuar ngjarjen si “të papërgjegjshme”, përcjell DW.
Fillimisht, Seuli kishte mohuar përfshirjen e qeverisë në këtë incident të ndodhur në janar, duke sugjeruar se mund të ishte vepër e civilëve. Megjithatë, presidenti Lee deklaroi se hetimet kanë konfirmuar përfshirjen e zyrtarëve shtetërorë.
“Ndonëse nuk ishte qëllimi i qeverisë sonë, ne shprehim keqardhje ndaj Veriut për faktin se veprimet e papërgjegjshme dhe të nxituara të disa individëve shkaktuan tensione të panevojshme ushtarake,” u shpreh ai gjatë një mbledhjeje të kabinetit.
Sipas tij, në incident janë përfshirë një zyrtar i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës dhe një ushtar aktiv.
Lee theksoi gjithashtu se Kushtetuta e Koresë së Jugut ndalon individët privatë të ndërmarrin veprime që mund të provokojnë Veriun, duke shtuar se edhe veprimet që konsiderohen të nevojshme për strategjinë kombëtare duhet të trajtohen me kujdes maksimal.