Vendosni fjalën kyçe....

“Integrimi në BE është mbyllur për Ramën” – Berisha


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për takimet e tij të fundit me strukturat e Partisë Socialiste në njësitë e Tiranës, duke theksuar se ai shmang kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët.

Gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren para Kryeministrisë, Berisha theksoi se nën drejtimin e Ramës, procesi i integrimit në Bashkimin Europian mbetet i vështirë dhe i paarritshëm. Ai argumentoi se numri i vendeve që kanë bllokuar raportin IBAR është rritur dhe ka tendencë të rritet më tej, për shkak të politikave të qeverisë aktuale.

Sipas Berishës, kryeministri i kalon ditët në mbledhje partie, pasi nuk është më në gjendje të përballet me qytetarët, ndërkohë që përpiqet të japë mesazhe optimiste për integrimin, të cilat nuk përputhen me realitetin.

“Ai shfaqet para shqiptarëve dhe botës si një figurë e distancuar. Çdo ditë alternon mbledhje të Partisë Socialiste dhe thotë se integrimi është afër. Por me Ramën, integrimi mbetet një horizont i paarritshëm. Para dy javësh, 4 vende bllokuan raportin IBAR; tani janë 9, dhe brenda dy javësh mund të arrijnë 15. Sa më shumë të njihet Rama në arenën ndërkombëtare, aq më i madh do të jetë kundërshtimi ndaj tij,” deklaroi Berisha, duke e cilësuar 17 prillin si një ditë të rëndësishme për qytetarët dhe kryengritjen paqësore.

Berisha nënvizoi se rruga drejt Bashkimit Europian nuk është e mbyllur për shqiptarët, por për udhëheqësit aktualë, të cilët i akuzoi për korrupsion dhe keqmenaxhim. Ai bëri thirrje për vazhdimin e përpjekjeve për integrimin dhe të ardhmen europiane të vendit.

“Ne do të vazhdojmë luftën për hapjen e rrugës drejt BE-së. Nuk është shqiptari që ka pengesa, por udhëheqësit aktualë, përfshirë Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët kanë shkatërruar besimin dhe kanë vjedhur. Është koha që qytetarët të japin përgjigjen e merituar dhe të rikthejnë Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe të ardhmes europiane,” përfundoi Berisha.