Vendosni fjalën kyçe....

Besimtarët katolikë përkujtojnë Udhën e Krishtit në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë


Në vigjilje të Pashkës Katolike, besimtarët katolikë në Tiranë u bashkuan në një nga ritet më domethënëse të besimit, “Udhën e Kryqit”.

Sheshi “Nënë Tereza” u mbush me qindra besimtarë, të cilët ndoqën me përkushtim 14 ndalesat simbolike që pasqyrojnë vuajtjet dhe sakrificën e Jezu Krishti drejt kryqëzimit.

Rituali u udhëheq nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj.

Në lutjen e tij në këtë ditë të shenjtë, të njohur si E Premtja e Madhe, Imzot Dodaj theksoi rëndësinë e reflektimit të brendshëm, solidaritetit dhe afrimit me njëri-tjetrin. Por një mesazh të fort e kishte për drejtësinë.

“Mos të kushtëzohemi nga zhurmat, nga gjërat e tjera. Sepse Zoti është me ne. Dhe kështu braktisim me të çdo dhimbje e vuajtje. Braktisim familjet më shumë në vështirësi. Braktisim te Zoti ata të rinj dhe të reja që ndodhta ndihen të bullizuar, të paragjykuar dhe shkurajuar. Braktisim këtë mbrëmje te Zoti shumë vëllezër e motra që në mënyrë të tepruar banojnë në burgje. Thuajse burgu është çelësi i zgjidhjes së problemeve. Drejtësia represive pa përgjigje e mbyt të ardhmen, të fut frikën”, tha Dodaj.

Ndërkohë lutjet e besimtarëve shkuan për më shumë mirësi dhe dashuri.

Udha e Kryqit zhvillohet dy ditë para Pashkës, dhe  mbetet një moment  reflektimi për besimtarët.

Tradita vijon edhe të shtunën para festës, kur familjet besimtare shkojnë në kishë për të bekuar ushqimet simbolike si buka, vezët dhe djathi, që më pas ndajnë në tryezën e Pashkës, në një atmosferë gëzimi dhe shprese.