
Një plan i rrezikshëm komando për të rrëmbyer uraniumin e pasuruar të Iranit është hartuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara me kërkesë të presidentit Donald Trump, sipas dy personave të njohur me çështjen.
Ushtria amerikane i ka paraqitur presidentit një plan për të marrë rreth 45o kg uranium shumë të pasuruar në Iran, i cili do përfshinte dërgimin me avion të pajisjeve për gërmime dhe ndërtimin e një piste për avionë transporti për të nxjerrë materialin radioaktiv nga vendi.
Plani i ndërlikuar iu paraqit presidentit gjatë javës së kaluar pasi ai kërkoi një propozim, thanë burimet, së bashku me paralajmërimet për rreziqet e mëdha operacionale.
Kërkesa e Trump për një plan të tillë, e pa raportuar më parë, tregon interesin e tij për të shqyrtuar një mision shumë të ndjeshëm dhe me rrezik të lartë të forcave speciale. Shqyrtimi i një operacioni të tillë nga administrata u raportua fillimisht nga Wall Street Journal.
Kufizimi i aftësisë së Iranit për të ndërtuar një armë bërthamore mbetet një objektiv kryesor i administratës. Por ekspertët thonë se ky plan do përfaqësonte një ndërmarrje jashtëzakonisht të vështirë, e paprovuar më parë gjatë një lufte. Misioni do kërkonte transportimin ajror të qindra ose mijëra trupave dhe pajisjeve të rënda për të mbështetur gërmimin dhe rikuperimin e materialit radioaktiv, proces që sipas ish-zyrtarëve të mbrojtjes mund të zgjasë javë të tëra, potencialisht nën zjarr armik thellë brenda Iranit.
Zyrtarët e administratës i kanë paraqitur së fundmi Iranit një propozim me 15 pika për përfundimin e luftës, duke kërkuar ndër të tjera që Teherani të dorëzojë uraniumin shumë të pasuruar, të cilin Trump e ka quajtur “pluhur bërthamor”.
Irani e ka hedhur poshtë propozimin amerikan, megjithëse para fillimit të luftës kishte sugjeruar gjatë negociatave se mund ta ulte nivelin e pasurimit të materialit në një nivel më të ulët.
“Ky do ishte një nga operacionet më të mëdha dhe më të ndërlikuara të forcave speciale në histori,” tha Mick Mulroy, ish-zëvendës ndihmës Sekretar i Mbrojtjes dhe ish-oficer i CIA dhe US Marine Corps. “Është një rrezik i madh për trupat.”
Në një tjetër shenjë të interesit të Trump për një operacion të tillë, ai i nxiti amerikanët të ndiqnin një emision të moderuar nga Mark Levin në Fox News, një mbështetës i fortë i Izraelit. Gjatë episodit, Levin tha se SHBA duhet të dërgojë trupa tokësore të specializuara për të marrë rezervat e uraniumit të Iranit.

“Pse do na duheshin trupa në terren? Ka shumë arsye – dhe nuk do na duheshin 300,000 prej tyre. Bëhet fjalë për uranium,” tha Levin.
Trump, i cili kishte bërë fushatë me premtimin për t’i dhënë fund luftërave, tani ndodhet në javën e pestë të një konflikti që ai e nisi, i cili zhvillohet kryesisht përmes sulmeve ajrore në bashkërendim me Izraelin. Nisja e një operacioni tokësor ambicioz për të marrë uraniumin do kërkonte dislokimin e komandove dhe shumë trupave të tjerë mbështetës, duke shtuar një nivel të ri të madh rreziku për ushtrinë.
“Është detyra e Pentagonit të përgatisë plane për t’i dhënë Komandantit të Përgjithshëm sa më shumë mundësi zgjedhjeje. Kjo nuk do të thotë se presidenti ka marrë një vendim,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ndërkohë që sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve janë kundër luftës dhe veçanërisht kundër dërgimit të trupave tokësore, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth u përpoq të paraqesë presidentin si një lider të vendosur.
“Siç ka thënë Presidenti Trump shumë herë gjatë viteve dhe në këtë administratë, Irani nuk mund të ketë një bombë bërthamore – dhe nuk do ta ketë,” tha Hegseth gjatë një konference për shtyp në Pentagon.
Në qershor, SHBA bombardoi objekte bërthamore në Iran, duke penguar ndjeshëm programin e tij të armëve. Por sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Irani ka grumbulluar rreth 450 kg uranium të pasuruar në nivel 60%, pak nën nivelin e nevojshëm për armë bërthamore.
Më shumë se gjysma e këtij materiali ruhet në një objekt bërthamor pranë Isfahanit, një qytet historik në Iranin qendror, në tunele më shumë se 90 metra nën tokë, sipas drejtorit të përgjithshëm të IAEA, Rafael Mariano Grossi. Pjesa tjetër ndodhet në objektin bërthamor Natanz dhe ndoshta në zona të tjera.
Pamjet satelitore nga fillimi i qershorit të publikuara nga gazeta franceze Le Monde dhe të analizuara nga Institute for Science and International Security treguan një kamion të madh që transportonte 18 fuçi blu drejt hyrjes jugore të objektit në Isfahan. Edhe pse nuk ishte e mundur të konkludohej me siguri përmbajtja e tyre, instituti vlerësoi se përputhja më e mundshme ishte që fuçitë përmbanin cilindra me uranium shumë të pasuruar, të zhvendosur për ruajtje në kompleksin e tuneleve disa ditë para sulmeve ajrore nga Izraeli dhe më pas nga SHBA.
Qasja në zonën e magazinimit në Isfahan, tha Grossi gjatë një vizite në Washington në mars, mbetet e bllokuar nga rrënojat e lëna nga bombardimet amerikane në qershor. Që atëherë, ai tha se “nuk kemi parë lëvizje të mëdha” që tregojnë përpjekje për të arritur te materiali — ndoshta vetëm ndonjë makinë ose kamion, por jo makineri gërmuese.

Materiali shumë i pasuruar, në formën e gazit uranium heksafluorid, ruhet në cilindra të mbyllur që i ngjajnë bombolave të zhytjes, secili rreth një metër i lartë. Para se të përdoret për armë, ai duhet të pasurohet më tej mbi 90% dhe të përpunohet në metal.
Duke përshkruar një vizitë inspektimi në Isfahan pak para sulmeve ajrore të qershorit, Grossi tha se cilindrat “nuk janë shumë të mëdhenj” dhe “nuk janë veçanërisht të mbrojtur”, megjithëse është e mundur që disa “karrema” të jenë vendosur midis tyre për të ngatërruar këdo që përpiqet t’i marrë.
Edhe pse nuk është i përfshirë në vendimet ushtarake, ai tha se “kjo sasi e konsiderueshme materiali është shumë ndotëse, kështu që mund të ketë ndotje nëse goditet drejtpërdrejt.”
Për të arritur te rezervat e varrosura në Isfahan, “duhet të sillni pajisje gërmimi, të çani betonin dhe shtresat mbrojtëse prej plumbi dhe më pas të arrini në fund të kësaj strukture dhe të nxirrni kontejnerët me material bërthamor për t’i transportuar jashtë me avion,” tha një nga burimet. Vlerësimet për kohëzgjatjen e operacionit variojnë nga disa javë deri në disa muaj.
Mënyra më e mirë për rikuperimin e materialit do ishte pas një armëpushimi dhe me praninë e personelit të IAEA, tha gjenerali në pension Joseph Votel, i cili ka drejtuar si US Central Command ashtu edhe US Special Operations Command.
“Por nëse duhet të luftosh për të hyrë, është e realizueshme,” tha ai.
“Ka shumë rreziqe. Është një nivel shumë i lartë kompleksiteti. Ka të ngjarë të ketë viktima,” shtoi ai.
Shkalla dhe kompleksiteti e bëjnë misionin jashtëzakonisht të vështirë, por të mundshëm, sipas një ish-zyrtari të mbrojtjes me njohuri të drejtpërdrejta për planet e luftës me Iranin dhe aftësitë e forcave speciale.
Logjistika do fillonte me goditjen e mbrojtjes iraniane për të krijuar korridore më të sigurta për trupat tokësore, të cilët do fluturonin qindra kilometra brenda vendit për të vendosur një perimetër mbrojtës rreth objekteve.

Një opsion i mundshëm është që njësi elitare si Divizioni Ajror 82 dhe Rangers të hidhen me parashutë për të marrë kontrollin e terrenit, i cili mund të jetë brenda rrezes së artilerisë, raketave dhe dronëve armikë.
Më pas inxhinierët do ndërtonin një pistë uljeje për furnizime dhe pajisje, disa prej të cilave mund të hidhen nga avionë transporti ose të transportohen nga helikopterë.
Operacioni do kërkonte një numër të madh personeli mbështetës: mekanikë, shoferë, specialistë furnizimi dhe ekspertë bërthamorë civilë nga Departamenti i Energjisë dhe agjenci të tjera për të vlerësuar rreziqet dhe për të mbikëqyrur nxjerrjen e uraniumit.
Përpjekja për të depërtuar në shkëmb dhe për të hyrë në zonën e magazinimit do ishte vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe të rrezikshëm.
Ekipet speciale mund të përdorin mjete prerëse dhe pajisje termike për të kaluar pengesat brenda objektit nëntokësor, ndërsa ushtarë të tjerë do siguronin mbrojtjen. Komandot do vishnin pajisje mbrojtëse dhe pajisje frymëmarrjeje speciale për të zbuluar kërcënimet radioaktive.
Çdo veprim brenda objektit mund të rrezikojë çlirimin e materialit të rrezikshëm radioaktiv, ndërsa rreziku i ekspozimit do kërkonte procese të përsëritura dekontaminimi për personelin dhe pajisjet. Gjithashtu mund të ketë kurthe shpërthyese.
“Është një proces i ngadaltë, i kujdesshëm dhe potencialisht vdekjeprurës,” tha një ish-operator i forcave speciale.
Edhe faza e nxjerrjes së materialit nga vendi do t’i ekspozonte trupat dhe pajisjet ndaj sulmeve të mundshme iraniane gjatë transportimit ajror përmes hapësirës ajrore armike.
Sipas ish-zyrtarëve, kompleksiteti i operacionit e bën atë shumë më të vështirë se misione të tjera të njohura me rrezik të lartë, si operacioni për eliminimin e Osama bin Laden në Pakistan, i cili zgjati vetëm disa orë, ndërsa operacioni në Iran mund të zgjasë javë të tëra.
Ka vetëm disa dhjetëra trupa të trajnuar posaçërisht për rikuperimin e materialeve bërthamore pas vijave armike, dhe aftësitë në këtë fushë janë zvogëluar që nga fundi i Lufta e Ftohtë, kur skenarë të tillë konsideroheshin më të mundshëm, thanë ish-zyrtarët.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post