Vendosni fjalën kyçe....

Erion Braçe: Kujdes me deklaratat për rrezikun iranian, paniku godet ekonominë



Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, reagoi sot në Kuvend pas debatit mbi deklaratën e ambasadës së SHBA-së lidhur me paralajmërimet për sulmet e mundshme të Iranit ndaj Shqipërisë.

Braçe theksoi se deklaratat e bëra në publik duhet të jenë të kujdesshme, pasi përhapja e panikut mund të ndikojë negativisht në ekonomi, të ardhurat dhe turizmin.

“Kush bën një deklaratë në këtë sallë, duhet të mendojë edhe për ekonominë. Paniku që përhapet në të tilla raste godet ekonominë, punën dhe të ardhurat e shqiptarëve. Këto çështje duhet të diskutojnë në komisione, me dyer të hapura dhe të mbyllura, për të shmangur pasoja mbi ekonominë dhe turizmin”, tha ai.

Braçe shtoi se kishte kërkuar interpelancë me ministrin e Bujqësisë që në shkurt dhe kritikoi mungesën e ministrit në seancë. Ai u shpreh se përgjegjësia dhe transparenca janë të domosdoshme në këto momente, dhe ministrat duhet të jenë prezent për të dhënë sqarime konkrete.

“Nuk duhet të dalë nga agjenda siç kërkon një ministër. Më janë dashur gjashtë javë që të marr informacion, tani më duhen gjashtë javë për të folur me ministrin dhe për të marrë përgjigje për vendin”, përfundoi Braçe.