
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi akuzoi ish-drejtorin e Policisë së Shtetit Ilir Proda se me urdhër të Ergys Agasit ka larguar nga hetimi i vrasjes së Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit në aeroportin e Rinasit oficerët e policisë që po shkonin drejt zbardhjes së krimit të rëndë.
Sipas tij, oficerët e emëruar në vend të të parëve, kanë zhdukur pamjet e kamerave të sigurisë në një përpjekje për të mos lejuar zbardhjen e ngjarjes.
“Me ndërhyrje direkte të Ilir Prodës dhe Ergys Agasit, oficerët janë larguar nga dosja dhe janë fshirë pamjet. Oficerët e larguar ishin vënë në gjurmët e autorëve të vrasjes së rëndë në aeroportin e Rinasit. Personat që u emëruan në dosje zhdukën çdo pamje të kamerave të sigurisë lidhur me aktin e rëndë kriminal në mes të ditës.” – tha Bardhi.
Ai shtoi më tej se opozita do vijojë protestat kundër qeverisë Rama teksa theksoi se ato janë i vetmi mjet në dispozicion për të sensibilizuar qytetarët dhe opinionin ndërkombëtar.
“Në Kuvend nuk ka ardhur çdo gjë që SPAK po heton për Belinda Ballukun. Në Kuvend kanë ardhur provat nga hetimet e deritanishme ndaj ish-zv.kryeministres. Është një dosje me 16 mijë faqe. Protestat janë e vetmja rrugë që ka opozita për të sensibilizuar si shpoqërinë shqiptare ashtu edhe aelatët ndërkombëtarë. Qeveria Rama është e korruptuar rrënjësisht dhe ne nuk do i ndalim protestat. Deformimi i zgjedhjeve ka sjellë deformimin e qeverisjes. Këta që na qeverisin sot punojnë për të mbushur xhepat e tyre.” – shtoi Bardhi.