
Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e një cikli takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet e vendit. Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi i projekteve të nisura gjatë mandatit të katërt, shqyrtimi i projekteve të ardhshme dhe dëgjimi i shqetësimeve të qytetarëve.
Gjatë fjalës në podkastin “Flasim”, Rama tha: “Dhe në mbyllje të shënimeve, dua të nënvizoj se kemi hyrë tanimë në një fazë të re komunikimi më të drejtpërdrejtë dhe natyrisht në të gjithë territorin, ku do të angazhohemi me një cikël takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet për të folur për këtë moment të rëndësishëm të vendit, për punët që kanë nisur në këtë mandat të katërt, për punët që do të nisin së shpejti dhe natyrisht për të dëgjuar njerëzit.
Dhe në funksion të organizimit, që si gjithmonë ne e nisim me kohë për atë që do të jetë fitorja e ardhshme shembullore e Partisë Socialiste vitin e ardhshëm në zgjedhjet vendore. Në këto takime do të flasim për punët e Shqipërisë, do të flasim për çka po ndërtojmë, do të flasim për çka shohim si pengesa për t’u kapërcyer.
Do të flasim për gjithçka që njerëzit do të duan të ndajnë me ne apo duan të dëgjojnë nga ne. Dhe patjetër do të ndajmë me njerëzit ato që janë sfida tërësisht të përbashkëta, ku natyrisht përgjegjësia kryesore i takon, dhe s’ka sesi të jetë tjetër, qeverisë.”
Datat dhe vendndodhjet e takimeve nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa mbetet për t’u parë se sa pjesëmarrje do të ketë nga qytetarët dhe komunitetet lokale.