Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, pas një debati të zhvilluar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Në një mesazh të publikuar në Facebook, Malaj akuzon Ramën se po tenton të imponojë rregulla autoritare dhe një disiplinë të ngjashme me atë të një reparti ushtarak, duke përjashtuar apo kërcënuar ata që nuk i nënshtrohen.
Ai rikujton edhe një përplasje të mëhershme personale me kryeministrin, kur ishte shprehur publikisht se “PS-ja nuk mund të jetë repart ushtarak”, deklaratë që sipas tij u pasua me kërcënime për përjashtim nga mbledhja.
Sipas Malajt, pas atij momenti Rama nuk ka tentuar më ta largojë nga mbledhjet, por ka vijuar të përdorë një stil drejtimi që ai e cilëson si autoritar dhe hakmarrës ndaj zërave kritikë brenda partisë.
Ish-ministri thekson se në Partinë Socialiste mungon demokracia e brendshme dhe paralajmëron se çdo individ që nuk i bindet kryeministrit trajtohet si kundërshtar apo armik politik.