Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë arritur shumicën, në mos të gjitha objektivat ushtarake në Iran, ndërsa operacioni do të vijojë edhe për një periudhë të shkurtër.
Gjatë një interviste në një podcast me komentatorin konservator Benny Johnson, Vance u shpreh se suksesi ushtarak është tashmë i dukshëm.
“Mund të bëhet një argument i fortë se i kemi arritur të gjitha objektivat tona ushtarake,” tha ai, duke shtuar se operacioni do të vazhdojë për të garantuar rezultate afatgjata.
“Presidenti do ta vazhdojë edhe për pak kohë, për t’u siguruar që pasi të largohemi, të mos na duhet ta bëjmë këtë sërish për një kohë shumë, shumë të gjatë,” deklaroi Vance, duke iu referuar Donald Trump, sipas Ynet.
Ai theksoi se qëllimi i ndërhyrjes është dobësimi i kapaciteteve të Iranit dhe parandalimi i zhvillimit të armëve bërthamore.
“Nuk jemi të interesuar të qëndrojmë në Iran pas një apo dy vitesh. Po kryejmë detyrën tonë dhe do të largohemi shumë shpejt,” shtoi ai.
Vance foli edhe për rritjen e çmimeve të karburanteve, duke e lidhur atë me tensionet në Lindjen e Mesme, por theksoi se kjo situatë do të jetë e përkohshme.
