Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj planeve të qeverisë për ndërtimin e një parkimi nëntokësor në hapësirën e Muzeut Arkeologjik.
Ajo e cilësoi këtë projekt si një “turp të madh” dhe një “skandal”, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një muze dinjitoz që të përfaqësojë historinë dhe identitetin kombëtar.
“Që ky është një turp i madh, është një skandal i madh. Nëse duan thjesht t’i vjedhin pronën për të ndërtuar kullë atje, të paktën t’i japin një vend tjetër nëpër Tiranë ku të ketë një Muze Arkeologjik dinjitoz, të vizitueshëm, i cili të ketë një godinë po aq dinjitoze, me dritën e diellit, ku historia e Shqipërisë dhe identiteti i shqiptarëve të jenë aty,” u shpreh ajo.
Zhupa theksoi se muzeu duhet të jetë i hapur dhe i aksesueshëm për qytetarët dhe turistët, duke shtuar se vendosja e tij në katet nëntokësore është e papranueshme.
“Është një turp i madh kjo gjë që po bëni, që Muzeun Arkeologjik ta ktheni në një kat parkimi, ku në -3 të parkohen makinat, në -2 të kemi Muzeun Arkeologjik, në -1 të kemi përsëri parkim, dhe sipër të kemi një kullë. Sepse kjo është degjenerim total i shtetit,” deklaroi Zhupa.
Ajo shtoi se një vend ka detyrim kushtetues të mbrojë trashëgiminë dhe identitetin kombëtar, duke e cilësuar këtë projekt si të papranueshëm dhe në kundërshtim me këtë mision.
