
Deputeti Erion Braçe ka reaguar pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS në Pallatin e Brigadave, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe punës brenda partisë.
Në një postim në rrjetet sociale, ai u shpreh se Partia Socialiste është “shtëpia jonë” dhe vuri theksin te nevoja për respekt ndaj kontributit të çdo anëtari, si dhe për përfshirjen e ideve të reja. Braçe theksoi se fokusi duhet të mbetet te puna dhe jo te pozicionet, duke shtuar se “karriget nuk janë kurrë qëllim, puna dhe punët vlejnë”.
“Partia Socialiste është shtëpia jonë; edhe e imja! PS5 është thelbi, origjina!
Sot me Asamblenë e PS5 kemi bërë një mbledhje shumë të mirë-të qetë, duke folur për shqetësime qytetare dhe të vetë partisë në këtë njësi, sy më sy e me qëllim të qartë zgjidhjen e tyre; respekti për mundin e sakrificën e gjithkujt në këtë organizatë, është jetik për të tashmen e të ardhmen; puna është thelbi ynë dhe për të folëm, secili dhe të gjithë bashkë, duke u përqendruar veçanërisht tani në të-koha ikën e nuk kthehet, ndaj vlen shumë tani.
Forcimi i PS duke u hapur, pranuar, përfshirë të majtë që duan të zhvillohen e zhvillojnë idetë e tyre bashkë me PS, ishte një tjetër qëllim i mirë për të cilin folëm e do flasim edhe më tej!
Karriget nuk janë kurrë qëllim, puna e punët vlejnë!”, shkruan Braçe.