Vendosni fjalën kyçe....

Kosova përballet sonte me Sllovakinë në gjysmëfinalen e play-off për Botërorin 2026


Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte luan njërën ndër ndeshjet më të rëndësishme në historinë e tyre.

Dardanët do të përballen me Sllovakinë në Bratislavë në gjysmëfinalen e pley-off-it për Kupën e Botës 2026, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Djemtë e Kosovës nën drejtimin e Franco Fodës, në duel me sllovakët hyjnë të përgatitur dhe të motivuar maksimalisht për fitore në mënyrë që të bëjnë edhe një hap të madh drejt Botërorit 2026.

Trajneri i Kosovës, Franco Foda në konferencën e fundit para duelit me Sllovakinë, ka thënë se skuadra e tij është e përgatitur mirë dhe se në përballje me sllovakët hynë për fitore, raporton RTKlive.

Foda thotë se Kosova ka treguar se dinë të fitojë edhe si mysafirë.

“Kemi bërë stërvitje të mirë në ditët e fundit, jemi përqendruar në anën taktike”, ka thënë Foda.

“Tashmë po shikojmë për ndeshjen e nesërme dhe synojmë fitore ashtu siç kemi bërë ndaj Islandës, Suedisë dhe Sllovenisë si mysafirë”, ka theksuar Foda.

Ndeshja mes Sllovakisë dhe Kosovës fillon në orën 20:45.