Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon drejtoreshën e Tatimeve të Tiranës për projekt 10 mln euro në bregdet


Zëdhënësja për Anti-Korrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka vijuar me denoncimet për Erlinda Lalën, drejtoreshën e Tatimeve të Tiranës.

Vangjeli deklaroi se Lala, e cila ka kaluar nga roli i këshilltares së ministrit Petrit Malaj në krye të Tatimeve të Tiranës, është e përfshirë në një projekt ndërtimi me vlerë 10 milionë euro në bregdetin shqiptar, konkretisht në Qerret, që ngre dyshime për fshehje pronësie dhe shkelje të planifikimit urban.

“Një tjetër skandal i rëndë trondit administratën publike të Edi Ramës. Rasti i drejtoreshës së Tatimeve, Erlinda Lala, ekspozon një skemë të dyshuar për fshehje pasurie dhe lidhje me një projekt ndërtimi me vlerë 10 mln euro në bregdet. Nga këshilltare e ministrit Petrit Malaj në krye të Tatimeve Tiranë, karriera e saj përkon me lëvizje të dyshimta financiare dhe vendimmarrje që krijon pikëpyetje serioze. Transferimi i aksioneve të ‘2D Construction’ në moment të fundit, përmes personave të afërt dhe me miratimin e bashkëshortit të saj, ngre dyshime për fshehje pronësie. Kjo kompani dyshohet se ka marrë leje në kundërshtim me planifikimin urban dhe ligjet në fuqi”, tha Vangjeli.

Sipas saj, ky rast tregon problematikat në administratën publike dhe nevojën për kontrolle më të forta mbi lëvizjet financiare dhe projektet e ndërtimit në vend.