Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Bisedimet me Iranin në zhvillim, kanë rënë dakord të mos kenë armë bërthamore


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaron se bisedimet mes SHBA dhe Iranit janë në zhvillim dhe kanë arritur tashmë disa pika të rëndësishme dakordësie, duke rritur mundësinë për një marrëveshje në të ardhmen e afërt.

Gjatë një prononcimi për gazetarët, Trump u shpreh se negociatat, të cilat kanë nisur të dielën, po vijojnë dhe mund të japin rezultate konkrete nëse ecin në mënyrë produktive.

Ai theksoi se diskutimet po udhëhiqen nga të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, shkruan Ynet.

Sipas presidentit amerikan, një nga pikat kyçe të marrëveshjes lidhet me programin bërthamor të Iranit.

 “Ata kanë rënë dakord të mos kenë armë bërthamore,” u shpreh ai, duke theksuar se kjo përbën një hap të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Trump deklaroi se kuadri i negociatave përfshin rreth “15 pika dakordësie” dhe se një nga elementët kryesorë është trajtimi i rezervave të uraniumit të pasuruar. Ai sugjeroi se Shtetet e Bashkuara mund të marrin kontroll mbi këto rezerva si pjesë e marrëveshjes.

Presidenti amerikan shtoi se në diskutime është përfshirë edhe çështja e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se kjo rrugë strategjike detare “do të hapet shumë shpejt” nëse arrihet marrëveshja.

Ai bëri të ditur gjithashtu se negociatat nuk po zhvillohen me liderin suprem iranian Ali Khamenei, por me një figurë tjetër që e cilësoi si “të respektuar”, duke shtuar se ishte Irani ai që kishte nisur kontaktet.

Ndërkohë, Trump ka pezulluar përkohësisht një ultimatum të mëparshëm për goditjen e infrastrukturës energjetike iraniane, duke i dhënë hapësirë procesit diplomatik.

Ai nënvizoi se opsioni ushtarak mbetet ende në tryezë, por nuk pranoi të japë detaje mbi strategjitë e mundshme.

Në fund, presidenti amerikan la të hapur edhe mundësinë e ndryshimeve më të gjera politike në Iran, duke sugjeruar se në të ardhmen mund të ketë zhvillime që lidhen me udhëheqjen e vendit.