
Organizatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit gjerman, Rainer Rudolph, të bëra në një intervistë për RTK-në.
Në reagimin e tyre, OVL UÇK thotë se deklaratat e ambasadorit “ngrejnë dyshime serioze për procesin gjyqësor në Hagë”.
“Pse po ngrihet kjo temë pikërisht tani nga ambasadorët, në prag të vendimit të Gjykatës Speciale? Kjo është përpjekje për ta parapërgatitur opinionin për një vendim që duket se tashmë është i shkruar diku tjetër”, thuhet në komunikatën e OVL UÇK-së.
Sipas tyre, nuk është neutralitet nëse ambasadorët flasin për “dënime apo lirime”, duke e quajtur këtë si ‘paragjykim të hapur të procesit dhe sinjal të qartë i ndikimit të jashtëm”.
“Drejtësia nuk duhet as të diktohet, as të parapërgatitet dhe as të ndërtohet me mesazhe diplomatike. Asnjë vendim, absolutisht asnjë, që e cenon luftën tonë, nuk do të pranohet. Nuk e lejojmë askënd të luajë me sakrificën tonë”, thuhet më tej në reagimin e OVL UÇK-së.
Në intervistën e dhënë në RTK, ambasadori gjerman theksoi se Dhomat e Specializuara në Hagë janë institucione që veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe se si ambasadë, ata ndjekin me vëmendje procedurat gjyqësore që po zhvillohen atje.
“Normalisht që i përcjellim këto procedura, cilido të jetë rezultati, qoftë nëse ka dënime apo lirime nga akuza, do të ju kërkoja të gjithëve që ta pranojnë vendimin e një gjykate të pavarur”, ka deklaruar ai.