
Kryeministri Edi Rama, nga Asambleja e Partisë Socialiste, ka folur për rritjen e çmimit të karburanteve, teksa një litër naftë ka arritur mbi 215 lekë.
Ai bëri të ditur se qeveria do të riaktivizojë Bordin e Transparencës dhe do të ndërhyjë në rast se çmimi i naftës kalon nivelin e 220 lekëve për litër.
“Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tej. Për këtë arsye kemi vendosur në lëvizje Bordin e Transparencës dhe kemi marrë vendimin që çdo ditë që çmimi kalon mbi 220 lekë, do të ketë menjëherë një ulje me 20% të akcizës së naftës,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se aktualisht nuk vërehet ndikim i drejtpërdrejtë në çmime të tjera, ndërsa theksoi se niveli i ulët i borxhit dhe deficitit i jep hapësirë qeverisë për të ndërhyrë në mbështetje të qytetarëve, veçanërisht të shtresave më në nevojë.