
Irani ka lejuar një numër të kufizuar anijesh mallrash që transportojnë drithëra dhe produkte të tjera bujqësore të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit që nga fillimi i luftës me SHBA-në dhe Izraelin, ndërsa Teherani përpiqet të sigurojë furnizime jetike.
Të paktën gjashtë anije shkarkuan mallrat në portin iranian Imam Khomeini, një qendër e rëndësishme tregtare në veri të Gjirit, dhe më pas kaluan përmes ngushticës në ujërat territoriale të Iranit midis 15 dhe 16 marsit, sipas analizës së Financial Times mbi të dhënat e gjurmimit detar.
Pesë anije të tjera që shkarkuan në Imam Khomeini kishin kaluar gjithashtu në këtë rrugë ujore strategjike në një korridor tjetër detar që prej 9 marsit, për të arritur në Gjirin e Omanit, sipas firmës analitike Kpler.
Midis këtyre pesë anijeve është edhe Giacometti, e cila kaloi Ngushticën e Hormuzit të premten për të hyrë në Gjirin Persik, duke transportuar një ngarkesë me sojë nga Kanadaja me destinacion portin Imam Khomeini.
Pothuajse të gjitha 11 anijet janë nën menaxhim grek, duke i bërë ato ndër të paktat mjete lundruese me pronësi perëndimore që kanë kaluar nëpër ngushticë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt. Një prej anijeve greke, Star Gwyneth, u godit nga një raketë më 11 mars.
Anijet e mallrave të thata (bulk carriers) përbëjnë shumicën e kalimeve të pakta nëpër ngushticë pasi Irani vendosi një mbyllje de facto të kësaj rruge ujore si kundërpërgjigje ndaj luftës SHBA-Izrael.
Kontrolli i fortë i Iranit mbi ngushticën ka sjellë pothuajse ndalimin e eksporteve nga rajoni, duke shkaktuar një rritje të çmimeve të energjisë, pasi rreth një e pesta e naftës botërore kalon zakonisht përmes kësaj rruge.
Sipas analistëve, drithërat që importohen përmes portit Imam Khomeini përdoren kryesisht për konsum të brendshëm në Iran.
Megjithëse Irani prodhon një pjesë të madhe të ushqimit të tij, ai vazhdon të mbështetet ndjeshëm në importet e drithërave dhe farave vajore. Këto importe përpunohen në vaj gatimi si edhe në ushqim për blegtorinë.
Sipas Andrey Sizov, drejtor ekzekutiv i konsulencës për drithërat SovEcon, vendi prodhon rreth 1.5 milion ton misër në vit, por importon midis 8 dhe 10 milion ton, kryesisht nga Brazili.
Bujqësia ka qenë një “pikë e dobët” për regjimin iranian, tha Sizov, duke theksuar se vendi përballej me një mungesë kritike uji edhe para konfliktit, gjë që ka penguar prodhimin bujqësor. “Është një problem i madh për fermerët,” shtoi ai.
Para luftës, autoritetet iraniane raportuan se kishin rezervuar 4 milion ton grurë si rezervë strategjike, e mjaftueshme për të përmbushur kërkesën për rreth katër muaj.
Këtë muaj, ministri i bujqësisë Gholamreza Nouri Ghezeljeh deklaroi se furrat e bukës kishin marrë furnizime me miell të mjaftueshme për gati dy muaj dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos krijonin panik duke blerë më shumë seç duhet.
Megjithatë, më pas Teherani njoftoi se do të ndalonte të gjitha eksportet e ushqimeve dhe produkteve bujqësore deri në një njoftim të dytë, me qëllim sigurimin e furnizimeve të mjaftueshme për popullsinë.
Edhe para konfliktit, rritja e çmimeve të ushqimeve kishte shtyrë shumë familje iraniane drejt vështirësive për të siguruar ushqimin. Inflacioni vjetor arriti në 47.5% në shkurt, sipas agjencisë statistikore të Iranit.
Mungesa e drithërave bazë në Iran do të kishte pasoja zinxhir në të gjithë rrjetin e furnizimit ushqimor, tha Evan Smith, drejtor ekzekutiv i kompanisë së teknologjisë së zinxhirit të furnizimit Altana.
“Kur ngushtica mbyllet, nuk ndalet vetëm transporti i drithërave nga India,” tha ai. “Ndërpritet furnizimi me ushqim për blegtorinë vendase. Ndalen inputet për përpunimin e ushqimit. I gjithë rrjeti i prodhimit dobësohet, jo vetëm linja e importit.”
S&P Global tha se ka pasur “një rritje të dukshme të anijeve të mallrave të thata që lëvizin drejt lindjes përmes ngushticës”.
Shumë prej tyre kanë kaluar “jashtë korridorit të zakonshëm” dhe midis ishujve iranianë Qeshm dhe Karak, duke sugjeruar se Irani po lejon trafikun të kalojë nëpër ujëra që mund t’i monitorojë më nga afër, shkruan FT.