Vendosni fjalën kyçe....

Nafta 210 lekë/litër, ministri Karakaçi: Bordi mund të ngrihet, por po ndjekim tregun në dinamikë


Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi se qeveria po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën e çmimeve të karburanteve, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e ngritjes së Bordit të Transparencës, nëse do të jetë e nevojshme.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ai iu përgjigj edhe kërkesave të opozitës për uljen e taksës së qarkullimit, duke theksuar se modeli aktual i mbledhjes së saj përmes çmimit të karburantit konsiderohet më i drejtë.

“Taksa e qarkullimit që të ulet 45 lekë do të thotë që të jetë aq, por nuk është aq. Në vendet e BE-së kjo taksë është e segmentuar. Marrja e saj në pikën e karburantit është më e mirë, pasi ai që konsumon më shumë, paguan më shumë”, u shpreh ministri.

Sa i përket Bordit të Transparencës, Karakaçi tha se ai mbetet një mekanizëm i gatshëm për t’u aktivizuar me vendim qeverie, por aktualisht situata po ndiqet në mënyrë dinamike, në varësi të zhvillimeve në treg.

Ai shtoi se qeveria po analizon edhe faktorët ndërkombëtarë që ndikojnë në çmim, duke theksuar se nuk ka mungesë të furnizimit me karburante në vend.

“Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem për furnizimin, pasi nafta vjen nga rrugë të tjera detare”, deklaroi ai.

Çmimi i naftës në tregun vendas ka arritur deri në 210 lekë për litër, duke rritur shqetësimin për ndikimin tek qytetarët dhe bizneset.