Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe 24 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Beirut, duke goditur zemrën e kryeqytetit libanez.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmet ndodhën në disa zona të ndryshme të qytetit, ndërsa Izraeli ka intensifikuar ofensivën kundër Hezbollah, grup i mbështetur nga Irani.
Goditjet ajrore kanë shënjestruar edhe periferitë jugore të Bejrutit, të kontrolluara nga Hezbollah, ku pamjet tregojnë shpërthime të fuqishme që ndriçonin qiellin gjatë natës, përcjell Reuters.
Një nga sulmet më të rënda ndodhi rreth orës 01:30, kur disa kate të një pallati u shkatërruan në lagjen Zuqaq al-Blat. Një tjetër goditje në zonën Basta dëmtoi rëndë një ndërtesë, ndërsa më vonë, rreth orës 05:30, një sulm edhe më i fuqishëm shkatërroi plotësisht një godinë në lagjen Bachoura, pranë qendrës së qytetit.
Ushtria izraelite kishte paralajmëruar më herët për sulmin në Bachoura, duke publikuar në rrjetet sociale një ndërtesë që, sipas saj, përdorej nga Hezbollah. Megjithatë, nuk pati paralajmërim për sulmet në Zuqaq al-Blat dhe Basta, ku u regjistruan viktimat.
Sulmet vijnë në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, pasi Libani u përfshi në luftë më 2 mars, kur Hezbollah ndërhyri në mbështetje të Tehranit.
Sipas autoriteteve libaneze, mbi 900 persona janë vrarë në Liban nga sulmet izraelite që nga fillimi i përshkallëzimit, ndërsa më shumë se 1 milion banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, sulme të tjera ajrore janë raportuar edhe në lindje dhe jug të vendit. Në qytetin Baalbek u vranë 4 persona, ndërsa në jug të Libanit 10 të tjerë humbën jetën në tre zona të ndryshme, sipas mediave shtetërore.
Nga ana tjetër, nuk raportohen viktima në Izrael nga sulmet me raketa dhe dronë të Hezbollah, ndërsa ushtria izraelite ka konfirmuar vdekjen e dy ushtarëve të saj gjatë operacioneve në jug të Libanit.
