
Lufta në Lindjen e Mesme po pengon furnizimin me ilaçe jetike në vendet e Gjirit, duke rrezikuar dërgesat e barnave kundër kancerit dhe trajtimeve të tjera që kërkojnë ruajtje në temperaturë të kontrolluar. Kompanitë farmaceutike po detyrohen të ndryshojnë rrugët e transportit dhe të përdorin rrugë tokësore për të arritur në rajon, përcjell Reuters.
Konflikti, i nisur pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit dy javë më parë dhe i zgjeruar nga kundërsulmet iraniane në rajon, ka goditur nyjet kryesore të transportit ajror dhe ka bllokuar disa rrugë detare. Kjo ka vështirësuar lëvizjen e mallrave, nga ilaçet deri te ushqimet dhe nafta.
Edhe pse deri tani nuk ka shenja të mungesave të mëdha, drejtues të industrisë paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet nëse konflikti vazhdon. Vendet e Gjirit varen shumë nga importet, ndërsa disa ilaçe kanë afat të shkurtër përdorimi dhe kërkojnë zinxhir të vazhdueshëm ftohjeje, gjë që e bën transportin e gjatë tokësor më pak praktik.
Drejtues të kompanive farmaceutike perëndimore thanë se po kërkojnë rrugë alternative për të furnizuar rajonin dhe po transportojnë disa ilaçe me kamionë nga aeroportet e Xhedah dhe Riad në Arabi Saudite. Si alternativa të tjera përmenden edhe Stambolli dhe Omani.
Disa nga aeroportet kryesore të rajonit, përfshirë Dubai, Abu Dabi dhe Doha, janë mbyllur përkohësisht pas sulmeve iraniane. Këto qytete janë qendra të rëndësishme të transportit ajror që lidhin Evropën me Azinë dhe Afrikën dhe luajnë rol kyç në transportin e ilaçeve që duhet të ruhen në temperatura të kontrolluara.
Sipas Wouter Dewulf nga Antwerp Management School, më shumë se një e pesta e transportit ajror global të mallrave – rruga kryesore për transportin e barnave dhe vaksinave jetike – është e ekspozuar ndaj ndërprerjeve në Lindjen e Mesme.
Ekspertët paralajmërojnë se krijimi i korridoreve të reja të transportit me temperaturë të kontrolluar nuk mund të bëhet brenda natës. Ndërkohë, disa kompani kanë krijuar ekipe të posaçme për të prioritizuar dërgesat më urgjente për pacientët, përfshirë trajtimet kundër kancerit.
Sipas ekspertëve të shëndetësisë globale, rezervat e ilaçeve që kanë afat të shkurtër përdorimi dhe kërkojnë ruajtje të veçantë zakonisht zgjasin rreth tre muaj. Barnat kundër kancerit, veçanërisht antitrupat monoklonalë, konsiderohen ndër më të rrezikuarit nga vonesat në furnizim.
Nëse situata nuk përmirësohet, disa institucione shëndetësore kanë paralajmëruar se mund të përballen me mungesa brenda katër deri në gjashtë javësh.
Megjithatë, disa kompani logjistike thonë se industria po e përballon situatën për momentin. Dërgesat po ridrejtohen drejt Xhedah, Riad dhe Oman, ndërsa më pas transportohen me rrugë tokësore drejt tregjeve përfundimtare.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ndërprerjet vazhdojnë, furnizimet në vendet e Gjirit dhe në disa pjesë të Azisë mund të bien ndjeshëm. Problemet në transport mund të prekin edhe elemente të tjera të zinxhirit të furnizimit, si materialet për paketimin e ilaçeve apo komponentët e vegjël të shisheve farmaceutike.
“Jo gjithmonë mungon vetë ilaçi,” thotë David Weeks nga Moody’s. “Ndonjëherë problemi është një pjesë e vogël e paketimit, si tapa e shishes nga ku merret doza.”