Vendosni fjalën kyçe....

Greqia 3 miliardë euro për sistemin e mbrojtjes ajrore dhe flotën e avionëve luftarakë


Komisioni parlamentar grek miraton blerjen e sistemit kundërajror prej 3 miliardë eurosh dhe përmirësimin e avionëve F-16

Një komision parlamentar grek miratoi të hënën blerjen e një sistemi mbrojtës me shumë shtresa kundër raketave dhe dronëve me vlerë tre miliardë euro, si dhe përmirësimin e 38 avionëve luftarakë F-16, me një kosto totale të vlerësuar në rreth 4 miliardë euro, thanë dy burime për Reuters.

Greqia është tashmë në bisedime me Izraelin për të siguruar një pjesë të madhe të sistemeve raketore për këtë mbrojtje, të quajtur “Mbrojtja e Akilit” (Achilles Shield), me një kosto të vlerësuar prej rreth 3 miliardë eurosh.

“Komisioni i parlamentit miratoi projektin dhe gjithashtu përmirësimin e avionëve F-16,” tha një burim i lartë me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.

Greqia planifikon të përmirësojë 38 avionë shtesë F-16 Block 50, që datojnë nga vitet 1990, në versionin modern “Viper” me një kosto të vlerësuar prej rreth një miliard eurosh, shtoi burimi. Një person i dytë konfirmoi informacionin, shkruan Ekathimerini.

Greqia ka një flotë prej rreth 150 avionësh F-16 dhe ka përmirësuar tashmë rreth 40 prej tyre. Qeveria greke ka deklaruar se planifikon të shpenzojë në total rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për të modernizuar forcat e saj të armatosura, teksa del nga kriza e borxhit e viteve 2009-2018 dhe përpiqet të mbajë hapin me rivalin e saj historik, Turqinë.

Blerja e re do të duhet gjithashtu të miratohet nga organi më i lartë vendimmarrës i vendit për punët e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes, KYSEA.

Komisioni të hënën dha gjithashtu dritën jeshile për përmirësimin e katër fregatave të vjetra MEKO 200 dhe një marrëveshje mirëmbajtjeje për avionët e transportit ushtarak C29J.