
Presidenti Volodymyr Zelensky tha të dielën se Ukraina po ofron ndihmë për vendet e Lindjes së Mesme për t’u mbrojtur nga dronët kamikazë iranianë, duke kërkuar në këmbim para dhe teknologji, përcjell REL.
Zelensky njoftoi se tri ekipe specialistësh ukrainas janë dërguar në Lindjen e Mesme për të kryer vlerësime ekspertësh dhe për të treguar mënyrat më efektive të mbrojtjes kundër sulmeve me dronë. Ekipet janë dërguar në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, si dhe në një bazë ushtarake amerikane në Jordani.
“Ky veprim nuk ka të bëjë me përfshirjen tonë në ndonjë operacion. Ne nuk jemi në luftë me Iranin,” tha Zelensky. Ai shtoi se marrëveshje më afatgjata për dronët mund të negociohen me vendet e Gjirit, por ende duhet diskutuar se çfarë do të marrë Ukraina në këmbim të kësaj ndihme.
“Për ne sot, si teknologjia, ashtu edhe financimi janë të rëndësishme,” theksoi presidenti ukrainas.
Shtetet e Gjirit kanë shpenzuar sasi të mëdha raketash kundërajrore për të luftuar dronët Shahed të Iranit. Nga ana e tij, Ukraina përdor çdo natë një sërë armësh për të rrëzuar dronët rusë, duke përfshirë dronë më të vegjël dhe pajisje për pengim sinjalesh.
Zelensky tha se SHBA-ja, si dhe vende nga Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika, kanë kërkuar ndihmë nga Ukraina për mënyrat më efektive të mbrojtjes kundër këtyre sulmeve. Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja nuk ka nevojë për ndihmën ukrainase për të rrëzuar dronët.
Zelensky shprehu shqetësimin se konflikti i zgjatur në Lindjen e Mesme mund të ndikojë në furnizimet e Ukrainës me raketa kundërajrore dhe njoftoi se Ukraina ka kërkuar të nënshkruajë marrëveshje për dronë me vlerë rreth 35–50 miliardë dollarë.
Ai gjithashtu komentoi mbi bisedimet e paqes me Rusinë dhe SHBA-në, duke thënë se rundi i fundit, i parashikuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, u shty pas sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite mbi Iranin. Sipas tij, Uashingtoni ka propozuar zhvillimin e bisedimeve në SHBA javën e ardhshme, por pala ruse nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Në frontin e luftës, Zelensky deklaroi se ushtria ukrainase beson se ofensiva ruse e pranverës “ka dështuar tashmë”.